Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin në vendin e quajtur “Rruga e drejtë e Kuçovës”, ju informojmë se Sektori i Qarkullimit Rrugor ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, pasi automjeti që drejtonte, është përplasur me mjetin bujqësor (frezë dore), me të cilin lëviznin shtetasi A. K., bashkëshortja e tij, shtetasja S. K. dhe vajza e tyre, shtetasja F. B.. Nga aksidenti humbën jetën shtetasit A. K. dhe S. K., si dhe u dëmtua shtetasja F. B., e cila vijon të jetë në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ky sektor arrestoi dhe shtetasin A. H., 54 vjeç, banues në Berat, pasi në fshatin Velabisht, u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Komisariati i Policisë Berat arrestoi në flagrancë shtetasin K. S., 30 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se në lagjen “30-vjetori”, në rrugë, i ka vjedhur celularin, një 33-vjeçari. Celulari është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Komisariati i Policisë Kuçovë arrestoi në flagrancë shtetasin I. Sh., 19 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se në ambientet e një lokali në lagjen “11 janari”, i ka vjedhur kartën e kreditit një 20-vjeçari dhe me të ka tërhequr një shumë parash. Karta e kreditit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 21 vjeç, banues në Kuçovë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël cannabisi.
Komisariati i Policisë Kuçovë referoi materialet në Prokurori, për vlerësim juridik, pasi në varrezat e qytetin, janë hapur disa gropa për varre, dyshohet në kundërshtim me ligjin. Punohet për të verifikuar përgjegjësinë penale për rastin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.