Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Apelit, të datës 20.09.2024 dhe ndaluan shtetasin Ervis Mersini, 26 vjeç, të cilin Gjykata e Elbasanit me vendimin e datës 16.01.2024, e ka dënuar 26-vjeçarin, me 4 vjet e 8 muaj burgim, nga të cila i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në fragrancë shtetasin B. K., banues në Elbasan, pasi në gjendje të dehur, ka dëmtuar me mjet prerës, shtetasin Gj. L., 49 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. K., 41 vjeçe, banuese në Elbasan, pasi mbrëmjen e djeshme, në unazën e qytetit të Elbasanit, automjeti që ajo drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin bullgar A. P., 66 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. M., 29 vjeç, pasi dyshohet se më datë 16.09.2024 dhe 19.09.2024 ka vjedhur produkte me vlerë 14 000 lekë në 2 supermarkete në lagjet “Syrja Dylgjeri” dhe “Partizani. Vijon puna për kapjen e 29-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme për largimin nga një qendër sociale të shtetasve të mitur, ju informojmë se janë gjetur dhe i janë dorëzuar qendrës, në gjendje të mirë shëndetsore, një 14-vjeçar dhe një 13-vjeçar. Vijon puna për gjetjen e 13-vjeçarit tjetër.
Elbasan/Informacion paraprak-Në autostradën “Tiranë-Elbasan”, në fshatin Llixhaj, janë përplasur 3 automjete me drejtues përkatësisht shtetasit M. T., 38 vjeç, N. Z., 53 vjeç dhe S. Q., 57 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin N. Z.. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Vlora/ Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në një familje.
Kanosi me armë zjarri kallashnikov bashkëshorten e tij dhe vuri në rrezik edhe banorët e fshatit duke qëlluar me armën në ajër, vihet në pranga 48-vjeçari.
Në momentit që 48-vjeçari vuri re shërbimet e Policisë tentoi të largohej me automjet, por u bllokua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe automjeti me të cilin tentoi të largohej, së bashku me një sasi lënde narkotike cannabis dhe fishekë luftarakë, të cilat u gjetën të fshehura në stanin e 48-vjeçarit.
Pas marrjes së njoftimit në orët e mëngjesit se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Akërni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, u finalizua operacioni policor “Strike 22”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë, në tentativë për t’u larguar me automjetin e tij, shtetasi B. I., 48 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën ai kishte kërcënuar bashkëshorten e tij.
Në vijim të kontrollit në stanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një sasi lënde narkotike cannabis dhe municion luftarak.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Arrestohen 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. M., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. D., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin H. M., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
-A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-M. K., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Korçë/Si rezultat i zbatimit të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditet një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Iu gjetën në automjet dhe në banesë, 160 steka me cigare, pa pullë fiskale, të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar nga Greqia, arrestohet në flagrancë 46-vjeçari (shtetas grek).
Sekuestrohen stekat me cigare, një shumë parash, automjeti dhe 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kondrabandës së mallrave, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjnca policore, kanë goditur një rast të veprimtarisë kriminale në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi grek V. T., 46 vjeç banues në Greqi, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në hyrje të qytetit të Devollit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. T., në të cilin gjatë kontrollit kanë gjetur dhjetëra paketa me cigare, pa pullë fiskale. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, në fshatin Çiflig, shërbimet e Policisë gjetën paketa të tjera me cigare, pa faturat përkatëse.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 160 steka me cigare të llojeve të ndryshme, 1038 euro, 2 celularë dhe automjeti i 46-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
DVP Berat
Stacioni i Policisë Dimal referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Ç., 51 vjeç, banues në Fier, administrator i një subjekti për nxjerrjen dhe përpunimin e inerteve (gurore), në fshatin Pashalli, pasi dyshohet se më datë 21.09.2024, në subjektin e tij, janë kryer shpërthime me lëndë plasëse dhe si pasojë janë dëmtuar disa banesa në këtë fshat.
Stacioni i Policisë Poliçan referoi materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi datë 22.09.2024, në fshatin Zhitom, Poliçan, shtetasi B. Q., 61 vjeç, duke punuar tokën, ka rënë nga mjeti zetor dhe si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 178 shtetas, konkretisht: 41 shtetas janë vënë në pranga, 127 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste. 5 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 20 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 9 raste, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 2 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 12 raste, 5 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 22 raste- 13 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 26 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me autor/ë të paidentifikuar;
-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vetëgjyqësia”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” mbetur në tentativë, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” mbetur në tentativë, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 21 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 27 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 52 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 15 shtetas janë vënë në pranga dhe 37 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.