Vau i Dejës/Vijojnë megaoperacionet “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”. Goditen një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
Arrestohet një 36-vjeçar, pasi kishte kultivuar 462 bimë narkotike, në pronën e tij, në fshatin Hajmel. Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i këtij fshati, për shpërdorim detyre.
Në pranga dhe një 50-vjeçar, sepse gjatë kontrollit në magazinën e tij, ngjitur me pronën e 36-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri automatik me municion luftarak.
Në vijim të megaoperacioneve kombëtare të koduara “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke përdorur dronë për monitorim ajror, kanë konstatuar se në mes të një parcele me misër në fshatin Hajmel, ishin kultivuar 462 bimë kanabisi.
Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. Rr., 36 vjeç, banues në fshatin Hajmel, i cili po kujdesej për bimët narkotike, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Hajmel, shtetasin F. K., 69 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi M. N., 50 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij, ngjitur me pronën e 36-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri automatik me krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.