Ministria e Brendshme çeke i dhuron Departamentit të Policisë Kriminale pajisje për përmirësimin e mëtejshëm të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit kibernetik

Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për mbështetje të autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, nënshkruar në Pragë, Çeki, ndërmjet Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë dhe Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Çekisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë dorëzimi i disa pajisjeve (server e pajisje të tjera) për Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale.

 

Zv/Ambasadorja e Çekisë në Shqipëri znj. Monika Kazdova, e shoqëruar nga Oficeri Ndërlidhës i Policisë çeke në Shqipëri Adriatik Shino, në prani të Zv/Drejtores së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtorit të Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Idajet Faskaj, i ka dorëzuar shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike Dashamir Çali pajisjet e dhuruara nga Policia çeke.

Zv/Ambasadorja Kazdova dhe Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë Hajna kanë theksuar se bashkëpunimi mes dy Policive është në nivele mjaft të mira dhe se ky bashkëpunim do të fuqizohet akoma më shumë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Lufta kundër krimit kibernetik kërkon kapacitete të larta profesionale dhe bazë logjistike dhe këto pajisje do të ndihmojnë në përmirësimin e punës së sektorit përkatës.