Raporti i ngjarjeve, 4 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vlorë

Vihen në pranga 3 shtetas që kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, dy ditë më parë, në plazhin e Delisufit.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim 2 ditë më parë, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u bë i mundur ndalimi i këtyre shtetasve, të cilët kundërshtuan me forcë punonjësit e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, gjatë kryerjes së detyrës, në vendin e quajtur “Plazhi i Delisufit”, konkretisht:

– I. D., shtetas shqiptar, banues në Itali;

– M. B., shtetas maroken, banues në Itali;

– M. M., shtetas italian, banues në Itali.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e 3 shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast, konkretisht:

– A. M., lindur në Kavajë dhe banues në Itali;

– S. P., lindur dhe banues në Sarandë;

– A. E., lindur në Kosovë dhe banues në Itali.

Vijon puna për kapjen e këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Kapshticë ndaluan në hyrje, shtetasin E. V., 39 vjeç, banues në fshatin Malbardhë, Laç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Komisariati i Policisë Devoll arrestoi në flagrancë shtetasin J. B., 52 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 78 vjeç, banues në fshatin Mesmal, Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të tij.

Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Gj., 69 vjeç, banues në fshatin Klocë, Maliq, pasi në qytetin e Korçës, ka kundërshtuar punonjësin e Policisë Bashkiake.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Korçë-Devoll”, në fshatin Dishnicë, informojmë se Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin në gjendje të lirë për shtetasen F. S., 22 vjeçe, banuese në Plasë, Maliq, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve ekzekutuan vendimin penal për shtetasin Y. H., 50 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

– R. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj kunatit dhe nënës së tij;

– A. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një monopatinë në rrugën “Xhanfize Keko”.

Gjithashtu po nga këta specialistë u ndalua shtetasi E. D., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka marrë një automjet me qira dhe nuk ka shlyer detyrimet e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin Q. D., 47 vjeç, banues në Tiranë, administrator në një firmë ndërtimi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal. Ditën e djeshme, në kantierin e ndërtimit të kësaj firme, është rrëzuar nga skela ku ishte duke punuar shtetasi I. Sh., 33 vjeç, banues në Librazhd, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin E. D., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

– R. O., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Tre Deshmorët”, duke drejtuar automjetin ka aksidentuar shtetasin P. D., 85 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

– B. P., 54 vjeç, banues në Tiranë, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin E. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi E. V., duke drejtuar mjetin tip “Benz”, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin B. P., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Si pasojë është dëmtuar shtetasja E. P., 22 vjeçe, pasagjere në motomjet, e cila pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, është larguar për në banesë.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 35 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 2 rastet e posedimit/shitjes së lëndëve narkotike, janë vënë në pranga 9 shtetas. 1 shtetase e kërkuar për krime në këtë fushë, është kapur.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është ndaluar, 2 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, 2 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. Për njërin nga rastet vijojnë të kryhen hetime për të zbardhur autorësinë dhe rrethanat. Ndërkohë, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për 7 rastet e tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 15 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 8 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i krimeve ekonomike dhe nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror“, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim, për 1 rast të veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

3 shtetas janë ndaluar për 2 raste të krimeve ekonomike.

1 shtetas është ndaluar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.