Tropojë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Peraj”.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe posedonte 940 gramë cannabis sativa, në banesë, arrestohet 37-vjeçari.
Sekuestrohet lënda narkotike.
Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Peraj”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 37 vjeç, banues në fshatin Peraj.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në një lokal, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit në oborrin e banesës ku 37-vjeçari vuante masën e sigurisë, shërbimet e Policisë kanë gjetur 940 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.