Bulqizë – Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen djeshme, në rrugën e fshatit Ostren, ku u aksidentua një 82-vjeçare

Bulqizë

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen djeshme, në rrugën e fshatit Ostren, ku u aksidentua një 82-vjeçare, ngjarje e cila u raportua fillimisht si rrëzim aksidental.

Ndalohet 16-vjeçari, i cili nga hetimet rezultoi se ka aksidentuar 82-vjeçaren, me motomjet dhe më pas u largua nga vendi i aksidentit.

Nis procedimi penal për djalin e 82-vjeçares për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe për 2 infermierë të Qendrës Shëndetësore të njësisë Administrative Ostren, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Me datë 28.08.2024, rreth orës 23.40, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë marrë informacion se në fshatin Ostren , aksidentalisht ishte rrëzuar në rrugë shtetasja S.M., 82 vjeçe, dhe si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Bulqizës, menjëherë është ngritur grupi hetimor për verifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

Pas hetimeve të thelluara, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe grumbullimi i të gjitha provave materiale, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ku rezultoi se 82-vjeçarja, rreth orës 20.00, të datës 28.08.2024, ishte aksidentuar nga një motomjet që drejtohej nga shtetasi L.M., 16-vjeç, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i aksidentit.

Në vijim të veprimeve, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit L.M., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Po në vijim të hetimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit :

P. M., 56 vjeç, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi ka patur dijeni se nëna e tij është aksidentuar dhe nuk e ka kallzuar.

I.K., 56 vjeç dhe H.K., 62 vjeçe, me profesion infermierë pranë Qendrës Shëndetësore të njësisë Administrative Ostren, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë raportuar për dëmtimet e konstatuara në trupin e 82-vjeçares.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.