Vlorë
Policia i vjen në ndihmë një turisti holandez, të cilit iu vodh portofoli me vlera monetare nga disa fëmijë të mitur.
Pasditen e sotme, në qytetin e Vlorës, në zonën e Lungomares, disa fëmijë të mitur, rreth moshës 10 vjeç, përfituan nga frekuentimi i lartë i zonës për t’i vjedhur një turisti hollandez një portofol me një shumë prej 200 eurosh, 25 000 lekësh, dhe disa dokumente identifikimi.
Falë reagimit të menjëhershëm të forcave të posaçme “Shqiponja”, fëmijët e mitur u identifikuan menjëherë dhe u vunë në dijeni strukturat përkatëse në Bashkinë Vlorë për trajtimin e rastit, për shkak të moshës së tyre të mitur. Portofoli i vjedhur u gjet dhe iu rikthye menjëherë turistit holandez, i cili ka falenderuar shërbimet për ndërhyrjen e tyre të shpejtë, duke shmangur çdo pasojë të mëtejshme për të.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë mbetet gjithmonë në gatishmëri për të reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre turistik.