Lushnjë – U kapën në flagrancë duke organizuar lojra fati me celularë, vihen në pranga 3 shtetas

Lushnjë/ Kishte përshtatur lokalin për zhvillimin e lojrave të fatit, vihet në pranga pronari i lokalit dhe 2 shtetas të cilët u kapën në flagrancë duke organizuar lojra fati me celularë.

Sekuestrohen 3 celularë dhe 15 televizorë që përdoreshin për organizimin e kësaj veprimtarie.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit”, me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, një lokal ku organizoheshin lojëra fati.

Për këtë rast u arrestua shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Lushnjë pasi në lokalin e tij u konstatuan 15 televizorë të cilët shërbenin për aktivitetin e jashtëligjshëm të lojrave të fatit.

Gjithashtu u arrestuan shtetasit A. M., 36 vjeç, banues në Lushnjë, D. V., 34 vjeç, banues në fshatin Kosovë e Madhe, Lushnjë, pasi u konstatuan në lokalin e shtetasit E. M., duke organizuar lojra fati nëpërmjet celularit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.