Përshëndetje,
Më lejoni që nëpërmjet këtij komunikimi me publikun dhe me median, të informoj lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes me armë të ftohtë, të shtetasit Faik Ajdini, kryer më datë 19 gusht 2024, në fshatin Zhapokikë, Memaliaj. Gjithashtu, t’ju informoj për rezultatet e hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
Më datë 20.08.2024, rreth orës 06:40, jemi njoftuar se në fshatin Zhapokikë, Memaliaj, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete, në një përrua, shtetasi Faik Ajdini, 72 vjeç.
Me marjen e njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë Tepelenë, si dhe Shefi i Stacionit të Policisë Memaliaj, punonjës të Seksionit të Policisë Shkencore dhe eksperti i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Nga këqyrja paraprake e kufomës në vendin e ngjarjes dhe nga rrethanat fillestare, hidheshin dyshime se viktima kishte shenja dhune dhe se vdekja mund të ishte shkaktuar nga mjet prerës.
Për të hetuar dhe zbardhur këtë ngjarje të rëndë, si dhe për të sqaruar rrethanat e ndodhjes së saj, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i kryesuar nga prokurori i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër z. Bledar Bala dhe i përbërë nga 2 zëvëndësdrejtorët e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, specialistë të Seksionit për Krimet e Rënda, Shefi i Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shefi i Stacionit të Policisë Memaliaj, specialistë të Seksionit të Policisë Shkencore, ekspertë mjeko-ligjorë, si dhe struktura të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër. Gjithashtu, u koordinua puna dhe u mor mbështetje pa rezerva, me burime njerëzore dhe logjistike, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që ekzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe do të dokumentonte me prova ligjore ngjarjen.
Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan dhe u pyetën një numër i konsiderueshëm personash. U kryen intervista, verifikime, kontrolle dhe ekspertime. U bë eksperiment hetimor dhe u kryen të gjitha veprimet e tjera që grupi i posaçëm hetimor çmoi të nevojshme për të zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen.
Nga hetimet intensive, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave, u arrit të sqarohet motivi dhe të dokumentohet me prova ligjore autorësia e kësaj ngjarje të rëndë, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Ajdini.
Nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij.
Nga sqarimi i rrethanave të ngjarjes dhe mekanizmit të ndodhjes së saj, nga ana jonë është organizuar puna për lokalizimin e kapjen e shtetasit Blerti Kanushi dhe sekuestrimin e të gjitha provave që dokumentonin autorësinë e tij në këtë krim të rëndë. Në vijim të hetimeve, më datë 20.08.2024 në orën 23:30, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
1 . Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 78/25, 80 dhe 302 të Kodit Penal;
2 . Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Gjithashtu, në ndjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të veprimeve operacionale dhe hetimore në terren, më datë 22.08.2024, ora 03:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Blerti Kanushi, 23 vjeç për vepren penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/25 i Kodit Penal dhe shtetasja Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 301 dhe 302 i Kodit Penal.
Nga gjithë tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u arrit të gjenden, fiksohen dhe sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, thika me të cilën ka kryer krimin autori, si dhe sende e mjete të tjera të cilat kanë influencuar në rrethanat e ngjarjes, të shfrytëzuara nga të dyshuarit. Këto sende dhe mjete do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme shkencore.
Dua të siguroj qytetarët se punonjësit e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilat operojnë në të gjithë territorin e qarkut, janë plotësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar çdo paligjshmëri në territor. Në këtë kuadër i ftoj sërish qytetarët, që të besojnë dhe të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, pasi vetëm bashkërisht ndërtojmë një ambient më të sigurtë.