Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Red light 2”, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Rekrutonte shtetase të huaja dhe më pas i shfrytëzonte për prostitucion, arrestohet një shtetase kineze.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtorja e saj dhe procedohen penalisht 7 shtetase të tjera, për ushtrim prostitucioni.
Sekuestrohen 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e trafiqeve të paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Red light 2”.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasja kineze Y. Y., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 90 të Kodit Penal.
-u shpall në kërkim shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal;
-u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se dy autoret e dyshuara, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja N. D., me anë të shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15 000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
PKK Qafë Thanë
Tentoi të fuste në Shqipëri, 500 l naftë të dyshuar të kontrabanduar, vihet në pranga 49-vjeçari.
Sekuestrohet sasia e naftës.
Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufij, në PKK Qafë Thanë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontrolle të detajuara, kamioni me drejtues shtetasin R. G.. Në këtë mjet, u gjetën bidonë plastikë të mbushur me 500 litra naftë të pashoqëruar me faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. G., 49 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”. Gjithashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bidonët me naftë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
I akuzuar në Kosovë, për trafikim personash, vihet në pranga në lagjen nr.13, me qëllim ekstradimin, 47-vjeçari, pronar i një lokali nate, në Prishtinë.
Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, të DVP Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar D. R., 47 vjeç, i lindur në Mirditë.
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim personash”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit D. R..
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Komisariati i Policisë Vau i Dejës arrestoi shtetasin L. L., 54 vjeç, banues në fshatin Bushat, pasi ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij 23 vjeç.
Stacioni i Policisë Velipojë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 44 vjeç, pasi ka kallëzuar një 60-vjeçar se shtetasi S. P. ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të tij, në fshatin Rrjoll.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 7 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar. 2 shtetas të kërkuar për kultivim të bimëve narkotike, janë kapur dhe ndaluar, ndërsa për 2 rastet e tjera në këtë fushë, janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, është evidentuar 1 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim. 1 shtetas i kërkuar për këtë veprimtari kriminale, është kapur dhe ndaluar.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Dhunimi i banesës” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.