Në kuadër të masave të marra për zbatimin e operacionit “Para drejtësisë” dhe aktivitetit intensiv të Policisë së Shtetit për shkëmbimin e informacionit me vendet e organizatat partnere për arrestimin, ekstradimin, sjelljen drejt Shqipërisë dhe vendosjen në dispozicion të organeve të drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, sot u krye ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë i shtetasit Firdeuss Berberi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Pogradec, me vendim penal të datës 29.04.2022, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 76, 25 dhe 22, 278/1 dhe 274 të Kodit Penal.
Më datë 25.04.2022, në Pogradec, dyshohet se shtetasi Firdeuss Berberi, në bashkëpunim me shtetasin G. M. kanë plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Johan Muçllari.
Si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Athina” u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.