Raporti i ngjarjeve, 17,18,19 gusht, 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i dënuar në vitin 2022, nga Gjykata e Apelit e Shkodrës, me rreth 2 vjet burgim, për posedim pa leje, të 2 armëve të zjarrit.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Ëiesbaden, u finalizua ekstradimi nga Frankfurti në Shqipëri i shtetasit Akil Qeleposhi, 33 vjeç,  lindur në Bajram Curri.

Gjykata e Apelit e Shkodrës, në vitin 2022 e ka dënuar këtë shtetas, me 23 muaj  e 7 ditë burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municionit”, pasi gjatë një kontrolli në një lokal në Bajram Curri, në vitin 2020 Policia i gjeti me vete 1 pistoletë dhe municion luftarak, ndërsa në banesë i gjeti 1 kallashnikov dhe municion luftarak.

33-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjashi”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Kishte kultivuar në pyll, 250 bimë cannabisi, si dhe posedonte fara cannabisi, me qëllim kultivimin, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari.

Asgjësohet bimët narkotike dhe sekuestrohen farat narkotike.

Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve proaktive që po kryhen në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, nga Komisariati i Policisë Lezhë u godit një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë rast, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjashi”, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi F. T., 43 vjeç, banues në fshatin Mërqi.

43-vjeçari dyshohet se kishte kultivuar 250 bimë cannabisi, në pyll, në afërsi të fshatit Gjash. Më tej, gjatë kontrollit në një ambient në pronësi të këtij shtetasi, Policia gjeti një sasi farash cannabisi që dyshohet se posedoheshin me qëllim kultivimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier

Morën në automjet 1 emigrant nga Pakistani, duke e mashtruar se do ta transportonin në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin ilegalisht të kufirit për në Mal të Zi, por e dhunuan, i morën eurot që ky shtetas kishte me vete dhe e zbritën në Fier.

Policia brenda pak orësh identifikoi, kapi dhe vuri në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale eurot që dy shtetasit i morën me dhunë emigrantit, dy celularë dhe automjeti me të cilin lëviznin dy shtetasit e arrestuar .

Shërbimet e Policisë pas njoftimit të  marrë nga spitali rajonal i Fierit, se ishte paraqitur për të marrë mjekim, 1 shtetas i huaj, i dhunuar,menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera është bërë e mundur që  brenda pak orësh, të zbardhej dinamika e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, N. S., 21 vjeç, banues në Mallakastër dhe E. Ç., 26 vjeç, banues në Fier.

Këta 2 shtetas dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, 1 emigrant nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Më pas ata e dhunuan, i morën paratë dhe e zbritën në rrugë në Fier.

Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Necklace”.

I vodhën varësen e floririt një shtetaseje, identifikohen dhe arrestohen dy autorët e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se dy persona i kishin vjedhur varësen një shtetaseje, në Rrugën e Elbasanit, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Necklace”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.    

Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, u identifikuan, kapën dhe ndaluan shtetasit D. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 15.08.2024, në Rrugën e Elbasanit, i kanë vjedhur varësen një shtetaseje dhe më pas janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e vjedhur, një aparat celular dhe veshjet që këta shtetas kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Bulqizë

Ndezi zjarr në fshatin ku banonte dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe e madhe me bimësi, procedohet penalisht 60-vjeçari.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, identifikuan dhe proceduan penalisht shtetasin S.S., 60 vjeç, banues në fshatin Erebarë, Dibër.

60-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të pastruar një sipërfaqe kullosore e si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe e madhe me bimësi.

-Po nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori dhe vijon puna për kapjen e shtetasve E. L., 30 vjeç; Xh. L., 26 vjeç dhe A. N., 19 vjeç, banues në Bulqizë, pasi në lagjen “Minatori”, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë goditur me grushte shtetasin K. F., dhe më pas i kanë dëmtuar dhe automjetin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”. 

Kapen në Gjirokastër dhe Kakavijë 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.

Falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shkëmbimit të informacionit  mes Interpol Tiranës dhe Policisë së Kosovës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

M. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Krahës, Memaliaj.

Gjykata e Kosovës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

-Kakavijë

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Sarandë, Policia Kufitare kapi në hyrje të RSH-së, shtetasin e shpallur në kërkim A. O., 52 vjeç, banues në Delvinë.

Gjykata e Sarandës e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj e 24 ditë burgim, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave e kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare për ekstradimin e shtetasit të kapur në Gjirokastër, ndërkohë shtetasi i kapur në Kakavijë iu dorëzua Komisariatit të Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Dhërmi

Ndezi fishekzjarre gjatë një eventi, duke shkaktuar zjarr që dogji një hapësirë të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme, arrestohet 28-vjeçari.

Gjatë orëve të para të ditës së sotme, në fshatin Dhërmi, u mor njoftim për një vatër zjarri që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme. Si rezultat i hetimeve dhe falë bashkëpunimit me banorët dhe pushuesit në zonën bregdetare, Stacioni i Policisë Dhërmi arrestoi autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie, shtetasin L. Xh., 28 vjeç.

28-vjeçari dyshohet se, gjatë një eventi në një subjekt privat në fshatin Dhërmi, ndezi fishekzjarre që shkaktuan zjarrin, duke dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrim nga pakujdesia i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.

Kurbin

Policia parandalon vrasjen e mundshme, arrestohet 53-vjeçari që kërkonte të vriste kushëririn e tij.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Cousin,” nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

53-vjeçari qarkullonte me motomjet pa targa, i armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në kërkim të kushëririt të tij, të cilin e kishte kërcënuar për vrasje, ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi ngjarjen e rëndë dhe vuri në pranga autorin.

Gjatë operacionit, u sekuestruan një pistoletë, një thikë, motomjeti pa targa dhe municionet që posedonte 53-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas kallëzimit të administruar nga shtetasi M. F., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin, se për shkak të një konflikti kushëriri i tij, shtetasi L. F., 53 vjeç, e kishte kanosur për jetën me armë zjarri dhe për këtë fakt kishte frikë të shkonte në banesë, organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes, kapjen dhe vënien në pranga të autorit.

Falë veprimeve të shpejta profesionale, bazuar në inteligjencën policore dhe kontrollin e territorit në kuadër të operacionit “Cousin”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bënë të mundur lokalizimin e autorit të dyshuar, shtetasin L. M., 53 vjeç, në rrugën e fshatit pranë banesës së shtetasit M. F.

Shërbimet e Policisë ndërhynë me profesionalizëm duke neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë 53-vjeçarin, i cili po lëvizte me një motomjet pa targa, i armatosur me një pistoletë me fishek dhe një thikë, duke kërkuar kushëririn e tij, 50-vjeçarin M. F., me qëllimin për ta vrarë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja.”

“SIGURIA DETARE”

33 mjete lundruese të bllokuara nga Ksamili në Koman.

Në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.

Gjatë kësaj jave nga Ksamili në Koman, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar 32 mjete lundruese.

Mjetet e bllokuara përfshijnë: 21 jet ski, 4 skafë, 5 gomone dhe 2 varka metalike që kishin të instaluar motor uji.

19 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë.

9 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.

2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.

2 varka metalike janë bllokuar në liqenin e Komanit për mungesë dokumentacioni dhe kushteve të sigurisë.

12 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100,000 lekë.

Drejtuesit e 18 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10,000 lekë për mungesë dokumentacioni.

Drejtuesit e 2 mjeteve të tjera lundruese (varka metalike), krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 20,000 lekë për mungesë dokumentacioni dhe të masave të sigurisë.

Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 16 raste që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.

Njëkohësisht, Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare, apo të masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm.

Durrës

Reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur zbardhjen e vjedhjeve të tre automjeteve një ditë më parë, në Durrës.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës dhe Stacioni i Policisë Plazh, operacioni i koduar “Three”.

Kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, si autorë të dyshuar të vjedhjes së 3 automjeteve.

Dy prej të arrestuarve, vodhën njërin prej automjeteve duke u prezantuar si punonjës parkingu.

Sekuestrohen 3 automjetet e vjedhura.

Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Stacionit të Policisë Plazh, pas kallëzimit nga tre shtetas se u kishin vjedhur automjetet që kishin në përdorim, menjëherë kanë organizuar operacionin e koduar “Three”. Në kuadër të këtij operacioni, brenda një kohe të shkurtër, është bërë e mundur të lokalizohen vendndodhjet e tre automjeteve të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të operacionit, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. G., 53 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 15, Durrës, ka vjedhur automjetin tip “Benz”;

R. H., 24 vjeç dhe P. M., 25 vjeç, pasi në një parkim në lagjen nr. 1, Durrës, këta shtetas, duke u prezantuar si punonjës parkimi, dyshohen se i kanë vjedhur automjetin një shtetasi dhe janë larguar;

E. Gj., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Volkswagen”.

Durrës/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar  “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet  nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Last Dinner”.

Posedonin  lëndë narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje, Policia i kap në flagrancë duke lëvizur me automjet për të shpërndarë lëndën narkotike.

Vihen në pranga dy shtetas si dhe sekuestrohen dhjetëra doza kokainë dhe automjeti që lëviznin këta shtetas për të realizuar shpërndarjen e drogës.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, se 2 shtetas shisnin lëndënarkotike kokainë në doza, në lokalet e natës në Durrës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpumim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Last Dinner”.

Gjatë operacionit në afërsi të Stacionit të Trenit, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”  kryer në bashkëpunim , shtetasit:

G. D., 19 vjeç dhe A. L., 19 vjeç, të dy banues në Shënavlash, Durrës.

Nga kontrolli në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale,  një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza, gati për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ksamil

Ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor dhe nuk lëshonte kuponë tatimor, si dhe kishte punonjës të pasiguruar, procedohet penalisht 30-vjeçari në Ksamil.

Sekuestrohen një shumë parash në lekë, euro dhe paund, si dhe 2 laptopë.

Gjatë veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.08.2024 në Ksamil, ku një 26-vjeçar u vu në pranga nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Sarandë, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e qarkullimit rrugor të Sarandës gjatë ushtrimit të detyrës për plotësimin e procesverbalit të shkeljes rrugore (parkim i gabuar), konkretisht në rrugën “Butrinti”, përballë një subjekti privat në administrimin e vëllait të 26-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë marrë informacion se në këtë subjekt ushtrohej aktiviteti i këmbimit valutor pa licencë.

Menjëherë në këtë subjekt është kryer kontroll dhe është konstatuar se shtetasi D. M., administrator i këtij subjekti, ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor dhe nuk lëshonte kuponë tatimor për shërbimet e ofruara, si dhe kishte punonjës të pasiguruar.

Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin D. M., 30 vjeç, banues në Ksamil.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 98 896 lekë, 368 euro, 26 paund dhe 2 laptopë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Gramsh/Operacione policore të njëpasnjëshme, kundër armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Indicia”. Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Vihet në pranga 55-vjeçari që posedonte pa leje, në banesë, armën dhe municionin.

Në zbatim të planit të masave për të garantuar sundimin e ligjit në territor dhe në bazë të kallëzimit të një 53-vjeçari se kishte konflikt me fqinjin e tij, 55 vjeç, për dëmtimin e një peme frutore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë organizuar punën dhe kanë kryer kontroll në banesën e 55-vjeçarit, në fshatin Shënmrizë.

Gjatë kontrolleve në banesën e 55-vjeçarit, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Indicia”, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat posedoheshin pa leje, nga ky shtetas.

Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma dhe municioni, si dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. R., 55 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prerja e druve dekorative dhe frutore”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

PKK Kakavijë

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me 41 000 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 50-vjeçarja.

Sekuestrohet shuma e parave.

Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kakavijë, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetases Zh. D.,  ku u gjetën 41 000 euro, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasen Zh. D., 50 vjeçe, banuese në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin A. N., 35 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë, pasi ka dhunuar bashkëshorten e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për aksidentin e ndodhur në fshatin Udënisht, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas, ju informojmë se Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë drejtuesen e njërit prej automjeteve të përfshirë në aksident, shtetasen E. B., 39 vjeçe, banuese në Korçë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, kjo strukturë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen D. L., 19 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

M. F., 28 vjeç dhe K. I., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik, për të ulur muzikën në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen nr.8;

N. N., 42 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ka goditur me send të fortë, një 36-vjeçar.

Komisariati i Policis Devoll referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

L. K., 39 vjeç, banues në fshatin Bickë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar më një 51-vjeçare;

K. Z., 54 vjeç, banues në fshatin Stropan, pasi dyshohet se i ka vjedhur një kafshë samari (mushkë), një 51-vjeçareje.

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, ku filoi procedimi penal për shtetasin H. T., 27 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka dëmtuar me një mjet prerës, disa shezlongë në pronësi të një 34-vjeçari.

Gjithashtu, kjo strukturë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin F. G., 42 vjeç, pasi babai i tij ka kallëzuar se për motive të dobëta, 42-vjeçari i ka dëmtuar murin e banesës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm  Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 288 shtetas, konkretisht: 81 shtetas janë vënë në pranga, 184 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 23 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 29 raste. 13 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 44 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga, 8 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 50 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 9 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 15 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 3 raste, 2 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. Për rastin tjetër është shpallur në kërkim 1 shtetas.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 15 raste, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 17 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 38 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 39 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 24 raste- 14 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 33 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-9 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-7 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të falsifikimit. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-nga 2 raste të veprave penale:

“Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

“Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

“Goditjet për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

“Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

“Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

“Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

“Fyerja”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale:

“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Mashtrimi në sigurime”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

“Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Kanosja për të mos kallëzuar”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

“Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Heqja e paligjshme e lirisë”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

“Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Dhunimi i banesës”, “Dhunimi i varreve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 16 aksidente, si pasojë e të cilave 23 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 44 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 18 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 28 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.