Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Wallet”

I vodhën me dhunë portofolin një shtetasi, identifikohen dy autorët e dyshuar. Ndalohet njëri prej tyre dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kryejnë këto vepra penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wallet”.

Si rezultat i tij u ndalua shtetasi P. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. H.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 10.08.2024, në rrugën “Xhanfize Keko”, i kanë vjedhur me dhunë portolfolin me shumën 1170 euro, një 39-vjeçari.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.