Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Necklace”

I vodhën varësen e floririt një shtetaseje, identifikohen dhe arrestohen dy autorët e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se dy persona i kishin vjedhur varësen një shtetaseje, në Rrugën e Elbasanit, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Necklace”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, u identifikuan, kapën dhe ndaluan shtetasit D. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 15.08.2024, në Rrugën e Elbasanit, i kanë vjedhur varësen një shtetaseje dhe më pas janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e vjedhur, një aparat celular dhe veshjet që këta shtetas kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.