Policia brenda pak orësh identifikoi, kapi dhe vuri në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale eurot që dy shtetasit i morën me dhunë emigrantit, dy celularë dhe automjeti me të cilin lëviznin dy shtetasit e arrestuar .
Shërbimet e Policisë pas njoftimit të marrë nga spitali rajonal i Fierit, se ishte paraqitur për të marrë mjekim, 1 shtetas i huaj, i dhunuar,menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera është bërë e mundur që brenda pak orësh, të zbardhej dinamika e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, N. S., 21 vjeç, banues në Mallakastër dhe E. Ç., 26 vjeç, banues në Fier.
Këta 2 shtetas dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, 1 emigrant nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Më pas ata e dhunuan, i morën paratë dhe e zbritën në rrugë në Fier.
Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.