Raporti i ngjarjeve, 16 gusht 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Mirditë/Vijojnë operacionet policore të njëpasnjëshme kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kaçinari”.

Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë teksa kujdesej për bimët narkotike që kishte kultivuar në pyllin e fshatit ku banonte.

Gjithashtu, Policia ka identifikuar bashkëpunëtorin e këtij shtetasi dhe vijon punën për kapjen e tij.

Asgjësohen nëpërmjet djegies 170 bimë narkotike.

Procedohen penalisht për shpërdorim të detyrave, kryetari i fshatit Shpërthaz dhe 2 specialistë të pyjeve në këtë fshat.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në çdo skaj të rrethit, në vijim të planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i Policisë Mirditë finalizoi operacionin policor të koduar “Kaçinari”. Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi N. M., banues në fshatin Shpërthaz, si dhe u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i këtij shtetasi, shtetasi F. B..

Shtetasi N. M. u kap në flagrancë teksa kujdesej për bimët narkotike që kishte mbjellë në mënyrë të shpërndarë dhe kamufluar nën pemë në pyllin e fshatit Shpërthaz.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin K. K., kryetar i fshatit Shpërthaz dhe për shtetasit N. T. dhe F. F., specialistë të pyjeve në këtë zonë.

Punohet për kapjen e shtetasit F. B..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Fier/Aksione policore të përditshme, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale.

Lëviznin me automjet, të armatosur dhe me doza cannabisi gati për shitje, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 170 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dhjetëra doza cannabis, 2 celularë dhe automjeti.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se 2 shtetas lëviznin të armatosur dhe me doza cannabisi me vete, të gatshme për shitje, Komisariati i Policisë Fier, në aksin rrugor “Pojan-Dërmenas”, ndaloi për kontroll, automjetin që drejtonte shtetasi P. F. alias P. Xh. dhe ku ishte pasagjer E. H.. Gjatë kontrollit në këtë automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 170 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dhjetëra doza cannabis gati për shitje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier vuri në pranga shtetasit P. F. alias P. Xh., 49 vjeç dhe E. H., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Dërmenas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit/Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, operacione të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve kibernetike.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”. Operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës.

Shantazhoi një shtetas për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur në Instagram, arrestohet në momentin që do të merrte paratë, 35-vjeçari.

Policia vijon të punojë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me 35-vjeçarin, për këtë rast.

Sekuestrohen 7 celularë, 2 disqe dhe 1 USB.

Në vijim të monitorimit, hetimeve proaktive dhe punës intensive që po kryhen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për goditjen e krimeve kibernetike, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte shantazuar nëpërmjet celularit, për dhënien e një shume të konsiderueshme parash, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë teksa merrte paratë nga 31-vjeçari, shtetasi A. H., 35 vjeç.

Ai dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, një shtetas, për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur, në rrjetin social Instagram.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës

Komisariati i Policisë Kukës:

-ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim Florin Lusha, 25 vjeç, banues në Kukës, pasi është dënuar nga Gjykata e Kukësit, me 4 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”;

-shpalli në kërkim shtetasin F. K., 40 vjeç, banues në Kukës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës (thikë), një 32-vjeçar. Punohet për kapjen e shtetasit F. K.;

 -referoi materialet në Prokurori për shtetasin E. F., 39 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, pasi duke djegur një kabllo, ka shkaktuar zjarr në vendin e quajtur “Lugu i Prizrenit”. Si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimë të egra.

Komisariati i Policisë Tropojë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. M., 54 vjeç, banues në fshatin Shumicë, pasi nga verifikimet ka rezultuar se ka ndërtuar 2 bujtina pa leje, në vendin e quajtur “Dobërdol”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 56 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. Për 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas, është vënë në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të shpërdorimit të detyrave, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë të paidentifikuar;

-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe goditjeve për shkak të detyrës, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, “Fyerja”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë kapur dhe ndaluar:

-1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”;

-1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Vjedhja” dhe “Falsifikimi i monedhave”;

-1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.