Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Maliq
Ndezi zjarr për të djegur mbetje bimore dhe nga përhapja e flakëve u rrezikua një subjekt në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe u dogj një sipërfaqe toke, arrestohet 64-vjeçari.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë dhe atyre zjarrfikëse mundësoi shuarjen e zjarrit.
Rreth orës 17:30, të datës 13.08.2024, sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje, në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq kanë shkuar në vendngjarje. Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse është bërë e mundur shuarja e zjarrit, ndërsa si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i zjarrvënies, shtetasi Xh. H., 64 vjeç, banues në fshatin Orman-Pojan.
Ky shtetas ka ndezur zjarr në afërsi të aksit rrugor, për të djegur mbetje bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është rrezikuar një subjekt (firmë frigoriferike) në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe është djegur një sipërfaqe toke.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Shkodër
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, u tentua të vritej me armë zjarri një 43-vjeçar.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, u arrestuan 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë, të implikuar në konflikt.
Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas ngjarjes, Policia shoqëroi 3 nga shtetasit e përfshirë, si dhe gjeti pistoletën me të cilën u krye plagosja.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 20:40 të datës 13.08.2024, në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, u plagos me armë zjarri, në këmbë, shtetasi Ç. Sh., 43 vjeç, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të DVP Shkodër:
vunë në pranga shtetasit K. K., 29 vjeç, A. K., 28 vjeç dhe L. K., 24 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit;
shpallën në kërkim shtetasit Z. K., 28 vjeç, F. L., 25 vjeç dhe A. Rr.,25 vjeç.
Vijojnë kërkimet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkepunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Kavajë
Ndezën zjarre në fshatrat Bago dhe Lekaj, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe toke dhe 115 rrënjë ulliri, arrestohet 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Komisariati i Policisë Kavajë:
-arrestoi shtetasin B. K., 62 vjeç, banues në fshatin Bago, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në afërsi të tokës së tij, për të djegur mbeturina, janë djegur 15 rrënjë ulliri në pronësi të disa shtetasve të tjerë;
-referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen N. M., banuese në fshatin Lekaj, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që kjo shtetase ka ndezur për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke dhe 100 rrënjë ulliri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Vijojnë kontrollet dhe verifikimet në subjektet në vijën bregdetare të qarkut, në përmbushje të masave në kuadër të planit operacional të koduar “Plazh i lirë”.
Kishte zënë 250 m² hapësirë bregdetare në zonë të mbrojtur në Karaburun, me 120 shezlongë të vënë pa leje, si dhe në subjektin që administronte, kishte punonjës të pasiguruar dhe nuk lëshoheshin kuponë tatimorë, procedohet penalisht 43-vjeçari.
Sekuestrohen shezlongët.
Pas verifikimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve, AKB-në dhe Policinë Bashkiake Vlorë, është konstatuar se për llogari të subjektit që administronte shtetasi P. N., ishin zënë 250 m² hapësirë bregdetare në zonë të mbrojtur në Karaburun, me 120 shezlongë të vënë pa leje. Më tej, është konstatuar se në këtë subjekt ishin punësuar shtetas të pasiguruar dhe nuk lëshoheshin kuponë tatimorë për shërbimet që ofroheshin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, për këto paligjshmëri, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. N., 43 vjeç, banues në Vlorë.
Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Himarë/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli”.
Lëviznin me automjet, për të shitur doza kokaine dhe cannabisi në lokalet e natës, arrestohen 2 shtetas.
Sekuestrohen dhjetëra doza të këtyre lëndëve.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, se 2 shtetas shitnin doza lëndësh narkotike, në lokalet e natës në Himarë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 25”.
Gjatë operacionit u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit J. Ç., 27 vjeç dhe E. T., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis, të ndara në doza, gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë
Për shkak të një konflikti për motive të dobëta, dogji në mesnatë, automjetin e një 34-vjeçari, arrestohet 36-vjeçari.
Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 00:30, në lagjen “28 Nëntori”, ishte djegur automjeti tip “Volvo” në përdorim të shtetasit K. D., 34 vjeç, Komisariati i Policisë Vlorë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” e DVP Vlorë organizuan punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorin/ët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.
Si rezultat, në kuadër të operacionit “Flames 4”, u identifikua dhe u vu në pranga brenda pak orësh, autori i dyshuar i rastit, shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në Vlorë, i cili nga hetimet dyshohet se e ka kryer këtë krim, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, me shtetasin K. D..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
PKK Kakavijë
Tentoi të dilte nga Shqipëria, me 29 850 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 43-vjeçari.
Sekuestrohet shuma e parave.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kakavijë, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit E. S., ku u gjetën 29 850 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin E. S., 43 vjeç, banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 28 shtetas janë vënë në pranga, 62 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. Për 4 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 1 shtetas i shpallur në kërkim për krim në këtë fushë, është ndaluar, ndërsa për 2 rastet e tjera është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është ndaluar dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është ndaluar, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i falsifikimit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për një rast të mëparshëm të veprës penale “Goditjet për shkak të detyrës”, është kapur dhe ndaluar 1 shtetas.
Ka ndodhur 1 aksident rrugor, me 1 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.