Durrës-Tentoi t’i vidhte nën kërcënimin e thikës, çantën, një turisti italian, arrestohet 20-vjeçari

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se një shtetas, duke përfituar nga errësira në një rrugë në lagjen nr. 13, Durrës, nën kërcënimin e thikës kishte tentuar të vidhte çantën e një turisti italian, i cili ishte duke lëvizur me automjetin e tij, por nuk kishte mundur t’ia merrte, pasi shtetasi italian ishte larguar me automjetin e tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Bazuar në rezultatet e hetimit dhe në provat e siguruara, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 20 vjeç, banues në Bulqizë dhe rezident në Itali.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është e angazhuar maksimalisht për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe turistët e huaj gjatë këtij sezoni turistik dhe i fton ata që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin.