DVP Vlorë/ Evidentohet dhe goditet një rast i kontrabandimit të mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja, finalizoi operacionin policor të koduar “Tranzit 5”.
U kap në flagrancë duke transportuar me automjet, paketa me cigare dhe pije alkoolike, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 50-vjeçari.
Procedohet penalisht pronari i subjektit për llogari të të cilit transportoheshin mallrat.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale paketa me cigare, pije alkoolike dhe automjeti me të cilin po transportoheshin këto mallra.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Tranzit 5”, gjatë të cilit:
-u vu në pranga shtetasi M. D., 50 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, për shtetasin B. Ç., pronar i një subjekti në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Gjatë operacionit, shtetasi M. D. u kap duke transportuar me një automjet, një sasi produktesh (paketa me cigare, pije alkoolike, shishe uji), të dyshuara të kontrabanduara, të cilat dyshohet se do shiteshin në biznesin e shtetasit B. Ç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.