Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit viziton Qendrën e SELEC në Bukuresht: Më shumë shkëmbim informacioni dhe operacione të përbashkëta
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi një takim në Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore – SELEC, me qendër në Bukuresht, në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani.
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i SELEC, Oguz Serkant Akin, i cili e njohu Drejtorin e Policisë Shqiptare me aktivitetin e organizatës, që bashkon sinergjitë e policive dhe autoriteteve doganore të 11 vendeve anëtare, me synimin për të përmirësuar luftën kundër të gjitha formave të krimeve ndërkufitare, përfshirë krimet e rënda dhe atë të organizuar, si dhe për të lehtësuar bashkëpunimin në Evropën Juglindore.
Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku falenderoi SELEC për mbështetjen logjistike që u jep punonjësve të Policisë së Shtetit në zhvillimin e aktiviteteve, siç janë takimet operacionale dhe shkëmbimi i informacionit me autoritetet ligjzbatuese të vendeve anëtare dhe atyre partnere.
“Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me SELEC, Policia e Shtetit nënvizon si prioritar rritjen e numrit të hetimeve të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër krimit të organizuar, nëpërmjet sigurimit të trajnimit të punonjësve dhe të pajisjeve të nevojshme”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit do të jetë edhe më aktive në drejtim të shfrytëzimit të mundësive dhe kapaciteteve, që SELEC ofron dhe mundëson.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi nismën e SELEC për organizimin e një konference mbi pastrimin e produkteve nga aktiviteti kriminal, sekuestrimin e aseteve dhe aktiviteteve të lidhura me to.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit uroi z.Akin për 25-vjetorin e krijimit të SELEC, që festohet në tetor të këtij viti.