Raporti i ngjarjeve, 20,21,22 korrik, 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Velipojë

Kreu manovra të rrezikshme me Jet Ski, duke cenuar sigurinë e pushuesve në Velipojë, ndëshkohet me masë administrative 100,000 lekë drejtuesi i mjetit lundrues Jet Ski.

Bllokohet dhe mjeti lundrues Jet Ski për mungesë dokumentacioni.

Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër dhe të Njësisë Policore Detare, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, gjatë patrullimeve në vijën bregdetare, nisur nga njoftimet e patrullave policore që patrullojnë në tokë përgjatë vijës bregdetare, për një mjet lundrues Jet Ski i cili kryente manovra të rrezikshme në plazhin e Velipojës, kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin e tij. Drejtuesi i mjetit lundrues, pasi konstatoi shërbimet e Policisë Kufitare, mbylli mjetin lundrues dhe u largua.

Pas verifikimeve të kryera, bazuar edhe në filmimet e publikuara në rrjetin social JOQ, Shërbimet e Policisë Kufitare kanë identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin B. B., me masë administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues Jet Ski.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.

DVP Vlorë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Pursuit”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I dënuar nga Italia, me 8 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Vlorë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pursuit”.

Gjatë operacionit, u kap në lagjen “10 Korriku” dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: 

Nikola Mersini, 58 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Vlorë. 

Autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar këtë shtetas, me 8 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 7 vjet e 6 muaj), për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

Vlorë/ Vijon puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike 19”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Mbante fshehur në banesë armë zjarri automatike, armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe lëndë narkotike kanabis, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.

30-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e armëmbajtjes.

Sekuestrohen armët, municioni luftarak dhe lënda narkotike.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit”, se një shtetas mbante armë në banesën e tij, në lagjen “24 Maji”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike 19”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

A. H., 30 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar fillimisht në automjetin që ky shtetas lëvizte në momentin e arrestimit, në çantën e tij shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një dozë me lëndë narkotike kanabis.

Nga kontrolli i mëtejshëm në banesën e 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 1 armë pushkë, municion luftarak për to dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë

I shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Luxury cars”, të zhvilluar ditën e djeshme nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Vlorë kapet dhe ndalohet në Portin e Durrësit 33-vjeçari.

Në vijim të veprimeve në kuadër të operacionit policor “Luxury cars”, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, ndaluan shtetasin F. M., 33 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e proceduar penalisht ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Luxury cars”, për trafikimin në Shqipëri të 2 automjeteve të vjedhura në Itali, me vlerë rreth 280 000 euro, duke iu bërë ndryshime në elementet identifikuese dhe duke i pajisur këto automjete me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Fier/Tentoi të vriste me mjet prerës (thikë), një shtetase, arrestohet 33 vjeçari.

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë bën të mundur kapjen dhe vënien në pranga të autorit të një plagosje të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Zhupan, Fier.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pasi morën njoftim se në fshatin Zhupan ka ndodhur një plagosje me mjet prerës (thikë), afrohen dhe kapin në flagrancë shtetasin A. N., 33 vjeç, banues në fshatin Zhupan. Ky shtetas për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me mjet prerës shtetasen F. N., 59 vjeçe, e cila ndodhet në spital, për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve procedurale Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier, arrestoi shtetasin A. N., për veprat penale “Vrasje për shkak të mardhenieve familjare”, mbetur në tentativë, dhe “Posedimi, blerja, mbajtja, apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua 1 mjet prerës (thikë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lezhë

I armatosur me armë zjarri dhe me dy mina me telekomandë, falë inteligjencës policore, parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, operacioni policor i koduar “Destinacioni”.

Kapet te “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë, 48 vjeçari nga Pogradeci që udhëtonte me një taksi drejt Lezhës.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, dy mina me telekomandë dhe municion luftarak.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaopeacionit “Sundimit të Ligjit”, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë po udhëtonte drejt Lezhës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Destinacioni”.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi  A. Z.

Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia  i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 48 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48-vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. 

Himarë

Vijon plani operacional policor i koduar “Coastline” për lirimin e hapësirave nga ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare në qarkun Vlorë.

Ndërtoi pa leje 4 objekte me strukturë druri (beach-bar dhe dhoma plazhi) në vijën bregdetare në Borsh, arrestohet 48-vjeçari.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara, kanë ushtruar kontroll në Borsh, ku kanë konstatuar të ndërtuara pa leje nga organet kompetente 4 objekte me strukturë druri, konkretisht 1 beach-bar dhe 3 dhoma plazhi.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. I., 48 vjeç, banues në Himarë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë, me qëllim rikthimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin sipas ligjit të çdo shtetasi që prek këto hapësira dhe i shfrytëzon ato në mënyrë të paligjshme.

Lezhë

Plagosi me armë zjarri, për motive të dobëta, 27 vjeçarin, brenda pak orësh vihet në pranga nga Policia.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën 30 vjeçari dyshohet se kreu plagosjen, si dhe automjeti tip “Audi”, me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L, 30 vjeç, banues në Rrillë, Lezhë.

Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 13:30, në një zonë larg pushuesve në plazhin Tale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta (motive xhelozie), ky shtetas ka plaosur me armë zjarri shtetasin A.M., 27 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë.

30 vjeçari pasi  kreu plagosjen, u largua me një automjet në drejtim të autostradës, por brenda pak orëve u vu në pranga.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Vlorë

Shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bllokojnë 3 mjete lundruese.

Gjatë monitorimit të hapësirës detare në të gjithë qarkun, u bllokua edhe një mjet lundrues skaf që ushtronte aktivitetin pa licencë.

Si rezultat i monitorimeve të pandërprera, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së pushuesve, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me patrullat tokësore, bllokuan 3 mjete lundruese (2 Jet Ski dhe 1 skaf), pasi drejtuesit e tyre shkelën perimetrin e sigurisë ujore në plazhin e Qeparosë dhe të Karaburunit, duke vënë në rrezik jetët e pushuesve. Secili nga drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkua me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhynë menjëherë në plazhin e Borshit, duke bllokuar një tjetër mjet lundrues skaf, pasi përdorej për të ushtruar aktivitetin pa licencë. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masë administrative prej 110,000 lekësh të rinj.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe patrullat tokësore, vijon monitorimin dhe kontrollin e të gjitha zonave bregdetare dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional.

Qarku Vlorë

U konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë, në kundështim me rregullat e përcaktuara, procedohen penalisht administratorët e 3 subjekteve në Vlorë dhe në Ksamil.

Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të komisariateve në varësi vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun Vlorë, për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, duke monitoruar subjektet që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje ose në kundërshtim me normat e lejuara të vendosura nga organet kompetente.

Si rezultat i kontrolleve, gjatë fundjavës, në Vlorë u konstatua një subjekt (lokal) ku gjenerohej muzikë jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën.

Po si rezultat i këtyre kontrolleve, në Ksamil u konstatuan dy subjekte (lokal dhe beach-bar) ku gjenerohej muzikë në tejkalim të normave të lejuara dhe jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike.   

Për të trija rastet u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për administratorët e subjekteve, shtetasit D. M., 36 vjeç, A. M., 32 vjeç dhe E. C., 37 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët e subjekteve, që të zbatojnë oraret e përcaktuara dhe të mos prishin qetësinë publike, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 183 shtetas, konkretisht: 35 shtetas janë vënë në pranga, 129 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 19 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste. 4 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 39 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 38 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 13 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 15 raste, 7 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 27 raste-2 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 21 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 29 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-9 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vetëgjyqësisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të dhunimit të banesës, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike, marrjes së padrejtë të fëmijës, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe mbajtjes pa të drejtë e uniformës, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Fyerja” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për 1 shtetas ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Kanosja”, “Fyerja”, “Shpifja”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”.

3 shtetas të kërkuar përkatësisht për krime ekonomike, organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe prishje të qetësisë publike, janë ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 19 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 38 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 11 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.