DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Terminal”.
Sekuestrohen rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Terminal”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Arben Broci”, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik, i gjetën rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, furnizonte disa shtetas të cilët dyshohet se e ndanin dhe e shitnin lëndën narkotike, në doza.
Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.