Tiranë/Arrestohen 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. D., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap në flagrancë, duke tentuar të vjedhë një elektromotor kondicioneri, në një dyqan.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin D. Rr., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale “Kanosja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit B. Sh., 39 vjeç, dhe M. N., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal. Ditën e djeshme, rreth orës 13:00, në Kamëz, në një objekt që po ndërtohet nga firma ku këta dy shtetas punojnë si inxhinierë, janë rrëzuar nga lartësia dy punëtorë, shtetasit B. B., 58 vjeç, dhe Q. K., 48 vjeç, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasen A. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase, ditën e djeshme, në rrugën “Anton Lufi”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tip “Toyota”, dhe më pas, nga inercia, automjeti i shtetases A. B., është përplasur nga pas me një automjet tip “Benz”.
Materialet i kaluan Prokurorisë.