Raporti i ngjarjeve, 12 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Ekstradohet nga Kosova, një shtetas kosovar, i cili në bashkëpunim me 3 të tjerë, në maj të vitit 2023, tentoi të kryente një vrasje në qytetin e Beratit.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët në Kosovë, u finalizua ekstradimi nga Kosova në Shqipëri, i shtetasit kosovar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të kapur në Kosovë, H. B., 56 vjeç.

Ai kërkohej për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se në maj të vitit 2023, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, ka tentuar të vrasë 1 shtetas.

Ngjarja kriminale u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së Policisë së Beratit, në kuadër të operacionit “Objektivi”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë

Bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij me vlerë 60 000 euro, për të përfituar  kompensimin me të njëjtën vlerë, procedohet penalisht 27-vjeçari.   

Gjendet i fshehur në një garazh dhe sekuestrohet automjeti i 27-vjeçarit.  

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi K. C., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60 000 euro, organizuan punën për zbardhjen e këtij rasti.   

Nga veprimet hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike të siguruara, rezultoi se shtetasi K. C. kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60 000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. C., 27 vjeç, banues në Itali.     

Si rezultat i kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, automjeti tip “Range Rover”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.   

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kune-Vain, Lezhë

U fut me automjet në breg të detit dhe qarkulloi mes pushuesve, duke iu rrezikuar jetën, Policia identifikoi drejtuesin dhe e ndëshkoi me masë administrative 60 000 lekë.

Menjëherë pas publikimit në portalin “JOQ” të një video-je në të cilën shfaqet një shtetas duke lëvizur me automjet, përgjatë bregut të detit, në Kune-Vain, Policia Rrugore e Lezhës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore këtë shtetas.

Si rezultat, u identifikua dhe shoqërua në komisariat, së bashku me automjetin me të cilin shfaqet në video, shtetasi E. P., 25 vjeç, banues në Kurbin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, për shkelje të neneve 7/12, 99/11, 173/2/h dhe 196/1 të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton median dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive, në numrin pa pagesë 112. Policia e Shtetit ju garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

Tropojë

Përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, identifikohen dhe vihen në pranga 5 shtetas.

Ndërkaq, Policia vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas rastit të ndodhur më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ku për motive të dobëta, shtetasi S. S., 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. Q., 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-Xh. M., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-A. Sh., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-A. B., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-J. K., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijojnë hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjëgjësinë penale të secilit prej këtyre shtetasve.

2 të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit S. S..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

-Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve arrestoi në flagrancë shtetasit iranianë M. O., 59 vjeç dhe G. K., 58 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë iu kanë gjetur dokumente të dyshuara të falsifikuara, për kërkim azili.

-Komisariati i Policisë Gjirokastër referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Th. Gj., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka dëmtuar me send të fortë, një automjet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 56 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste. Për 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, është vënë në pranga 1 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është ndaluar dhe 2 shtetas janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhjet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-7 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të goditjeve për shkak të detyrës, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Trafikimi i personave të rritur”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Vetëgjyqësia”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Kallëzimi i rremë”, “Prishja e qetësisë publike”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”, “Fyerja” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është ndaluar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër te grupit të strukturuar kriminal.

Për 1 rast të mëparshëm të veprave penale “Vetëgjyqësia” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, është ndaluar autori i dyshuar dhe ndaj tij ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.