Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor “Last call”. Në kuadër të operacionit kapen dhe arrestohen, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga DVP Berat, DVP Elbasan dhe DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Shërbimet e DVP Berat kapën dhe ndaluan shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: G. B., 31 vjeç. Gjykata e Arezzos, Itali ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër-arresti ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nga periudha 01.12.2017 deri 24.06.2018 është i përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Në qershor 2018, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë kishte marrë 139 doza me lëndë narkotike kokainë, me qëllim për ta shpërndarë në qytetin e Arezzos. Shërbimet e DVP Elbasan kapën dhe arrestuan shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Dritan Kllogjeri, 34 vjeç. Gjykata e Firences, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet burg për veprën penale “Krime seksuale”. Ky shtetas nga viti 2007 deri në 2012, në Firenzuola dhe Firenze e ka detyruar duke e kërcënuar dhe rrahur ish-gruan e tij për të kryer marrëdhënie seksuale. Nga ana e shërbimeve të Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit F.P. të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Hamdi Sina”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi i shtetasit Ernest (Nasi) Kaçi., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në 19 nëntor 2019. Autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti më datë 28 tetor 2019, pasi Gjykata e Sienas, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”. Procedurat e mëtejshme për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë do të kryhen nga Zyra Kombëtare e Interpolit në Tiranë.
Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Elektriku”. Shkatërrojnë rrjetin elektrik duke vjedhur disa herë kabllo elektrike, Policia vë në pranga autorët. Specialistët e hetimit të krimit pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të kryera në qytet, kanë bërë dokumentimin e disa ngjarjeve, ku së fundmi ka rezultuar se mëngjesin e djeshëm, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, janë vjedhur disa metra kabllo elektrike në kabinën elektrike të OSHE-së dhe janë dëmtuar instalimet elektrike. Menjëherë pas hetimeve intensive, u bë identifikimi i autorëve nga Policia dhe kapja e arrestimi i tyre, konkretisht: F. J., 37 vjeç, banues në Vlorë (i dënuar më parë për vjedhje dhe prodhim e shitje narkotikësh) dhe E. S., 27 vjeç, me banim në Vlorë (i dënuar më parë për vjedhje). Gjithashtu, në vijim të veprimeve të mëtejshme Policia ka zbuluar se shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 4 vjedhjeve dhe dëmtimeve të kabinave elektrike në qytetin e Vlorës, konkretisht: Më datë 12.01.2019, në kabinën elektrike të lagjes “Hajro Çakërri” dyshohet se kanë vjedhur një pjesë të kabllos elektrike; Më datë 13.09.2019, në një kabinë elektrike të lagjes “Kushtrimi” dyshohet se kanë vjedhur 16 m kabllo elektrike; 3. Më datë 18.11.2019, në kabinën elektrike pranë “Halim Xhelos”, dyshohet se kanë vjedhur 5 m kabllo elektrike; 4. Më datë 25.11.2019, në kabinën elektrike të lagjes “11 Janari”, dyshohet se kanë vjedhur 6 m kabllo elektrike. Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tyre, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”, të kryera në bashkëpunim.
Lezhë – Vodhën në banesën e një shtetaseje kosovare, por falë reagimit në kohë të Policisë arrestohen në flagrancë autorët. Goditet një grup që kryente vjedhje të banesave në qarkun Lezhë. Sekuestrohen radio si ato të Policisë dhe mjete që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve. Vihen në pranga 4 persona. Policia e Lezhës, pas sigurimit të informacionit se disa persona po vidhnin në banesën e shtetases F. M., në Shëngjin, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve. Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar në adresën e dhënë, autorët janë larguar me shpejtësi me automjet duke përfituar edhe nga errësira. Policia është vënë në ndjekje dhe ka bërë të mundur që brenda një kohe të shkurtër, rreth 20 minuta, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Antagut”, në dalje të Shëngjinit, të bllokojë automjetin, së bashku me personat që qarkullonin në të. Gjatë kontrollit fizik dhe në automjet, të ushtruar nga Policia, këtyre personave iu gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 aparat celular i vjedhur në banesë, një trapan që shërben për hapjen e dyerve, 2 palë doreza, 4 kaçavida dhe 3 radio si ato të Policisë. Në vijim të veprimeve, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Anton Frroku, 49 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin; Rushan Hysi, 25 vjeç, banues në Tepelenë; Hodo Sinanaj, 28 vjeç, banues në Tiranë; Ardian Selamani, 48 vjeç, banues në Lezhë. Këta shtetas dyshohet se kanë kryer edhe vjedhje të tjera në qarkun Lezhë e më gjerë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e tyre. Gjithashtu, shtetasit Anton Frroku, në biznesin e tij, një lokal nate në Ishull, Shëngjin, nga punonjës të OSHEE-së iu konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës sëShkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit është evidentuar 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 2 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lire, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Lezhë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 9 raste, 6 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.