Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në Top Channel, për një shtetas që iu premtonte qytetarëve se do t’i siguronte ndihmë ekonomike (KMCAP), në këmbim të pagesës, që varionte nga 50 000 deri në 200 000 lekë të rinj, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale për rastin. Në vijim, materialet u referuan në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin që shfaqet në video, L. N., 58 vjeç, banues në fshatin Zhelizhamë, Lushnjë, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon dhe fton mediat e qytetarët, që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.