Policia e Shtetit, angazhim për kontrollin dhe menaxhimin e hapësirës detare e liqenore për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan të detajuar për garantimin e sigurisë në zonat detare e liqenore, duke vlerësuar bashkëpunimin me qytetarët dhe operatorët turistikë për të parandaluar dhe evituar çdo problematikë që mund të sjellë shkelja e normave dhe rregullave në fuqi.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e të gjithë përdoruesve të zonave bregdetare dhe atyre turistike në përgjithësi se, për mbajtjen në kontroll të situatës dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, ndaj subjekteve të licensuara si operatorë turistikë dhe pushuesve me mjete private janë aplikuar dhe do të aplikohen masa administrative me gjobë apo sanksione plotësues, si bllokim i mjeteve lundruese.
Këto masa merren në bazë të kërkesave të ligjit “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit”, neni 14, “Kundërvajtjet administrative”, duke filluar me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, mbështetur edhe në ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar” neni 24.
Gjithashtu, “Ushtrimi i aktiviteteve detare jashtë zonave dhe vendeve të miratuara”, sipas nenit 6, të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë, ndërsa “Ushtrimi i veprimtarisë së operatorit detar të turizmit pa licencën/ certifikatën përkatëse”, sipas nenit 5, dënohet me gjobë, nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë.
Në kuadër të masave për sigurinë e sezonit turistik, prej vitit 2023 është ngritur dhe funksionon Njësia Policore Detare, si strukturë në varësi të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, dhe që ka në përdorim 35 mjete lundruese tip “Jet-Ski”, me një efektiv prej 105 punonjësish, të trajnuar e certifikuar për përdorimin e tyre gjatë gjithë vijës bregdetare dhe në liqenet e Shkodrës dhe Pogradecit.
Gjithashtu, Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Migracionit kanë kryer verifikimin në terren të zbatimit të kërkesave ligjore nga subjektet që kanë lidhur kontratë dhe kanë në përdorim stacione plazhi, vendbazimet e mjeteve lundruese dhe korridoret e lëvizjes së tyre.
Nga këto kontrolle rezulton se, disa subjekte private që kanë lidhur kontratë me Bashkitë për ushtrimin e veprimtarisë së Stacionit të Plazhit, nuk përmbushin përgjegjësitë për monitorimin e plotësimit të plotë të kritereve dhe standardeve të sigurisë sipas kontratës së nënshkruar, si në ngritjen e pikave të vrojtimit dhe vendosjen e vrojtuesit të trajnuar e certifikuar, vendosjen e sinjalistikës e kufizimeve në det me bova dhe shirita me tapa për kufizimin e zonës së notimit, vendosjen e flamujve sinjalizues, etj.
Policia e Shtetit është e vendosur të përmbushë detyrimet për të krijuar një ambient të sigurt në të gjithë hapësirën detare, nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme për zbatimin e ligjshmërisë dhe ju bën thirrje të gjithë shtetasve që përdorin mjete lundruese turistike dhe të argëtimit, operatorëve turistikë dhe të gjithë subjekteve që kanë në përdorim stacione plazhi, të zbatojnë detyrimet ligjore në funksion të rritjes së sigurisë për të gjithë pushuesit vendas e të huaj.