Himarë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike 18”

Himarë

Angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i posedojnë ato.

Finalizohet nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, operacioni policor i koduar “Strike 18”.

Qarkullonte i armatosur, me automjet, dhe posedonte një armë tjetër, në banesë, kapet në flagrancë në Palasë dhe vihet në pranga 25-vjeçari.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra, 1 automjet dhe 1 celular.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas posedonte armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 18”, në kuadër të të cilit u bë kapja në fshatin Palasë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

  • R. M., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër. Në vijim të kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një tjetër armë zjarri pistoletë dhe një krehër.

2 armët e zjarrit pistoleta dhe 2 krehrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e tij tip “Benz” dhe 1 celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.