Elbasan/Operacione të njëpasnjëshme po zhvillohen në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale.
Policia e Elbasanit finalizoi brenda 12 orëve, 2 operacione policore të ndjekura me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë.
-Operacioni “First” rezultoi ne arrestimin e një 31-vjeçari që posedonte me qëllim trafikimin, 1 kallashnikov, 1 pistoletë dhe municioni luftarak.
-Operacioni i koduar “Second” rezultoi me arrestimin e një 44-vjeçari që posedonte 3 armë të ftohta (thika) dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Si rezultat i 2 hetimeve me metoda proaktive, të kryera në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, dhe të ndjekura në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme finalizoi brenda 12 orëve, 2 operacione policore.
-Në kuadër të operacionit policor të koduar “First”, u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 31 vjeç, banues në Elbasan, pasi posedonte në banesë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do t’i trafikonte;
-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Second”, u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 44 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 thika dhe një sasi kokaine.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve arrestoi në flagrancë shtetasen C. P., 31 vjeçe, banuese në Mbretërinë e Bashkuar, pasi në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kontrollit në brendësi të automjetit të saj, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe 2 celularë.
Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin N. L., 43 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se është konfliktuar me bashkëshorten e tij, së cilës i ka shkaktuar dëmtime në kokë.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. T., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 16, duke drejtuar një automjet, ka përplasur një motoçikletë me drejtues shtetasin B. M., i cili ndodhet për mjekim në spital. 36-vjeçari ka dhënë deklarim të rremë, në lidhje me këtë ngjarje.
Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit M. Ç., 69 vjeç dhe D. Ç., 68 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Neviçisht, Korçë, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Këta shtetas u pajisën me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Më datë 05.07.2024, në fshatin Vërnik, Devoll, në një objekt kulti (kishë), dyshohet se është vjedhur një shumë e vogël parash. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Morinë, Kukës
Policia Kufitare e Morinës ndaloi 1 shtetas kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Zvicra, për pastrim parash.
Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas zbatimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Zvicër, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Zvicër, shtetasi kosovar A. D., 33 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet zviceriane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pastrim parash.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit, në Zvicër.
Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari i shpallur në kërkim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.06.2024, ku në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë tentuan të vrisnin shtetasin M. J.
Arrestohet në flagrancë edhe një shtetas tjetër, i cili përkrahu 27-vjeçarin dhe posedonte në banesë armë zjarri me municion.
Procedohen penalisht edhe 2 të tjerë, të cilët fshehën provat materiale të kryerjes së krimit.
Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike dhe municione luftarake.
Komisariati i Policisë Korçë, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e personave në kërkim dhe në vijim të punës hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 19.06.2024, në lagjen nr. 17, Korçë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e njërit prej shtetasve të shpallur lidhur me këtë ngjarje, kanë intesifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat nga këto struktura në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
-A. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi më datë 19.06.2024, në aksin rrugor “Korçë-Voskop”, në bashkëpunim me shtetasit S. S., 25 vjeç, S. S., 33 vjeç, Dh. D., 33 vjeç, dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me automjetin “Rang Rover” kanë përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. J., 18 vjeç, të cilin dyshohet se kanë tentuar t’a vrasin duke e goditur me mjete të forta në dukje armë zjarri, e cila nuk ka realizuar qitje.
Në vijim të veprimeve të kryera po në lidhje me këtë ngjarje, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-I. S., 51 vjeç, banues në Korçë, pasi ky shtetas dyshohet se ka përkrahur 27-vjeçarin A. D., me të cilin ka lidhje shoqërore. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit I. D., në lagjen nr. 4, Korçë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike dhe 1 krëhër me 30 fishekë.
Gjithashtu po nga këto struktura filloi procedimi penal për shtetasit V. D., 62 vjeç dhe R. S., 44 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se këta shtetas kanë ndihmuar autorët e ngjarjes, të fshehin provat materiale, që kanë shërbyer për kryerjen e krimit.
Po punohet për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Durrës/Finalizohet operacioni policor “Summer” pas hetimeve proaktive dy-mujore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Finalizimi i operacionit nga Seksioni për Hetime Narkotikëve në DVP Durrës, të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, me mbështetjen e Forcës së posaçme “Shqiponja” dhe forcave operacionale të DVP Durrës.
Gjatë operpacionit janë arrestuar e ndaluar 15 shtetas, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Po gjatë operacionit janë sekuestruar një arsenal armësh, kokainë, heroinë e kanabis, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga kjo veprimatri kriminale, automjete e telefona celular.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Sundimi i Ligjit” dhe “Tempulli”, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore, bazuar në inteligjencën policore referuan materialet në Prokurori për disa shtetas që ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Prokuroria e Durrësit bazuar në referimin e bërë nga Policia regjistroi procedimin penal, procedim i cili zgjati dy muaj dhe u ndoq me metoda proaktive.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, të kryera si rezultat i hetimit, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për 16 shtetas, ku gjatë operacionit u ndaluan 13 shtetas dhe u shpallën në kërkim tre shtetas që nuk u gjetën gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit, të lëshuara nga Prokurria, dhe konkretisht:
D. M., 53 vjeç, F. D., 44 vjeç, F. T., 57 vjeç, D. Sh., 33 vjeç, S. L., 34 vjeç, M. L., 29 vjeç, S. S., 32 vjeç, K. S., 34 vjeç, M. J., 34 vjeç, E. P., 33 vjeç, G. T., 32 vjeç, banues në Durrës , R. K., 50 vjeç, banues në Shijak dhe Z. H., 48 vjeç, banues në Kavajë.
Si dhe u shpallën në kërkim pasi nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit shtetasit: D. M., 41 vjeç, O. M., 20 vjeç, dhe E. P., 46 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xh. Xh., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në banesë Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë dhe heroinë dhe M. M., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi Policia i gjeti në banesë një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe katër shtetas pasi janë gjetur me nga një sasi të vogël lënde narkotike dhe ishin të shoqëruar me personat që u ndaluan.
Ne kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
1 armë zjarri e llojit kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte, municion luftarak, qindra doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, heroinë, kanabis, 20 telefona celular, 7 automjete, peshore elektronike dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Arsenali i armëve është gjetur gjatë operacionit në Kavajë në banesën e shtetasit Z.K ku u gjetën tre armë zjarri dhe një armë gjahu, një armë zjarri pistoletë në banesën e shtetasit D.M, banues në Durrës i shpallur në kërkim dhe një armë zjarri pistoletë në banesën e shtetasit M. M., 23 vjeç, banues në Durrës, i arrestuar në flagrancë.
Theksojnë se gjatë hetimeve proaktive mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga Prokurori i çështjes, janë bërë shumë blerjeve të simuluara personave të ndryshëm, të dokumentuara këto me pamje filmike, me dron, përgjime ambientale dhe sekuestrime të lëndës narkotike.
Po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Porkurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Komisariati i Policisë Fier arrestoi shtetasit:
-I. V., 29 vjeç, banues në fshatin Baltëz, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe ka thyer masën e sigurimit të vendosur nga Gjykata “Arrest në shtëpi”;
-S. H., banues në Fier, pasi ka thyer masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata “Arrest në shtëpi”, si dhe ka kanosur dhe i ka dëmtuar automjetin një shtetasi 43 vjeç.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. G., 35 vjeç, banues në fshatin Karbunarë, pasi nga kontrolli i shërbimeve të Policisë iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar kokainë.
Policia Rrugore referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. S., 40 vjeç, banues në fshatin Golem, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur 2 automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale.
Komisariati i Policisë Lushnjë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-G. H., 56 vjeç, banues në fshatin Plug, pasi për motive të dobëta ka goditur me grusht një shtetase, dhe nga kontrolli i banesës, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu, të cilën ky shtetas e posedonte pa leje;
-A. Y., 43 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, i ka dëmtuar automjetin një shtetasi 19 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
PKK Kakavijë
Shërbimet e Policisë të angazhuara maksimalisht për krijimin e lehtësirave, eleminimin e rradhëve në hyrje/dalje të vendit, për shkak të fluksit në sezonin turistik.
Ndërkohë Policia Kufitare ka shtuar masat dhe për parandalimin e goditjen e paligjshmërive që mund të zhvillohen duke përfituar nga fluksi i lartë.
Si rezultat i verifikimit të shtetasve në hyrje/dalje dhe shkëmbimit të informacioneve me DVP Korçë, Policia Kufitare në hyrje të RSH-së, kapi shtetasin e shpallur në kërkim:
Enea Arapi, 28 vjeç, banues në fshatin Rrëmbec, Maliq.
Gjykata e Korçës e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ky shtetas më datë 15.03.2018 gjatë një konflikti të çastit ka goditur me send të fortë (kaçavidë), një shtetas.
Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Korçë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Komisariati i Policisë Kavajë arrestoi në flagrancë shtetasin S. Y., 41 vjeç, banues në Poloni, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Stacioni i Policisë Plazh arrestoi në flagrancë shtetasin N. S., 32 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, pasi ka tentuar të vjedhë në një tabakino, në lagjen nr. 13, Durrës.
Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin G. Gj., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në segmentin rrugor “Maminas – Gjiri i Lalzit”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen S. S., 8 vjeçe, banuese në Sllovaki, e cila humbi jetën në spital.
Gjithashtu, arrestoi në flagrancë shtetasit R. Rr., 61 vjeç dhe F. A., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 233 shtetas, konkretisht: 65 shtetas janë vënë në pranga, 142 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 26 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste. Për 12 raste kultivimi, autorët janë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 18 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 24 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 18 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 14 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 17 raste, 7 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 23 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 27 raste- 10 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 40 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-9 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të krimeve kibernetike, me autorë të paidentifikuar;
-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”. 1 shtetas është ndaluar dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje e thirrjeve telefonike”, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vënies së basteve sportive, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Për një shtetase të kërkuar për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe mbi dyshime për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 15 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 18 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 42 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 21 shtetas janë vënë në pranga dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.