Raporti i ngjarjeve, 7 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

PKK Morinë

Si rezultat i shtimit të kontrolleve, goditen në hyrje të Shqipërisë, 1 rast i kontrabandimit të ilaqeve dhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave.

Arrestohet shtetasi kosovar që synonte të kontrabandonte ilaqet, me qëllim shitjen.

Procedohet penalisht shtetasi që nuk deklaroi rreth 13 000 euro.

Sekuestrohen ilaqet dhe shuma e eurove.

Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Morinë, në hyrje/dalje, të bazuar në analizën e riskut, për të menaxhuar fluksin e lëvizjes dhe për të parandaluar krimet në kufi, u goditën 1 rast i kontrabandimit të ilaqeve dhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave. Për 2 rastet:

-u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar F. K., 32 vjeç, banues në Pejë, pasi në çantë iu gjet një sasi ilaqesh që i kishte kontrabanduar nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. K., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi në çantë iu gjetën rreth 13 000 euro që synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”. 

Kapen në qytetin e Vlorës dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim, njëri i dënuar me 1 vit e 7 muaj burgim, për prodhim dhe shitje të narkotikëve, tjetri i akuzuar për të njëjtën vepër penale.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “City”, si rezultat i të cilit u kapën në qytetin e Vlorës, shtetasit e shpallur në kërkim kombëtar:  

– Letjano Beluli, 46 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 16.05.2019, e ka dënuar me 1 vit e 7 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Veprimet e tjera procedurale do të kryhen nga DVP Elbasan;  

– J. I., 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 12.12.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Policia e Elbasanit finalizoi brenda 24 orësh, një tjetër operacion kundër armëmbajtjes pa leje.

Si rezultat i operacionit të koduar “Second”, u sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe 30 fishekë luftarak.

Arrestohet në flagrancë 21-vjeçari që lëvizte në një rrugë të fshatit Gjinar, me armën dhe municionin, në çantë.

Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv garantimin e sundimit të ligjit në territor, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas lëvizte i armatosur, në fshatin Gjinar, Komisariati i Policisë Elbasan organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Second”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga poseduesi i armës dhe i municionit, shtetasi K. B., 21 vjeç, banues në fshatin Shelcan. Nga kontrolli në çantën e tij, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe 30 fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Skrapar/Kontrolle intensive dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar anticannabis, të koduar “Territor i pastër”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zoom in”. Asgjësohen 342 bimë cannabisi. Sekuestrohen fara dhe sasi të kësaj lënde, si dhe fishekë luftarak.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari që kishte kultivuar këto bimë dhe njëkohësisht kishte hapur 100 gropa në zonë, për të kultivuar bimë të tjera.

Procedohet penalisht vëllai i 31-vjeçarit, për bashkëposedim të sendeve të tjera të kundërligjshme.

Si rezultat i kontrolleve dhe i një hetimi me metoda proaktive, kryer nga Komisariati i Policisë Skrapar, në bashkëpunimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Berat dhe me Prokurorinë e Beratit, në vijim të punës për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, u finalizua operacioni policor anticannabis, i koduar “Zoom in”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi L. Q., 31 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi T. Q., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Krastë.

Nga hetimet rezultoi se 31-vjeçari është autor i kultivimit të 342 bimëve narkotike, në fshatin Krastë, si dhe se kishte hapur 100 gropa në zonë, me qëllim kultivimin e bimëve të tjera. Në pamjet e siguruara gjatë periudhës hetimore, ky shtetas shfaqet duke u kujdesur vazhdimisht për bimët narkotike.

Në vijim, nga kontrollet në banesën e shtetasve L. Q. dhe T. Q., Policia gjeti fara cannabisi, sasi të kësaj lënde narkotike dhe 66 fishekë luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Vijojnë intensivisht, nga ajri dhe nga toka, kontrollet në të gjithë qarkun, në kuadër të megaoperacionit policor anticannabis, të koduar “Territor i pastër”. 

Kontrollet nga ajri u kryen në zona me terren shumë të vështirë, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Si rezultat i kontrolleve, u gjetën dhe u asgjësuan 14 209 fidanë dhe bimë cannabisi.

Në bazë të koordinatave të siguruara paraprakisht, nga monitorimet me dron, të kryera nga shërbimet e DVP Shkodër dhe komisariateve në varësi të saj, në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, u kryen një sërë kontrollesh nga ajri, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, me objektiv goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve:  

 -shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Stacionit të Policisë Theth gjetën në territorin e njësisë administrative Shalë dhe asgjësuan 10 777 bimë dhe fidanë cannabisi; 

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Kelmend dhe asgjësuan 2464 bimë cannabisi;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën në territorin e njësisë administrative Qelzë dhe asgjësuan  193 bimë cannabisi;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Fierzë dhe asgjësuan 775 bimë cannabisi.  

Megaaoperacioni do të vijojë nga ajri dhe nga toka. Ndërkaq, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës po kryhen hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e këtyre rasteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër Shkodër mbetet e përkushtuar në luftën kundër kultivimit të cannabisit dhe veprimtarive të tjera kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve.

Policia e Shtetit inkurajon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në njësitë fizike të Policisë dhe në numrin pa pagesë 112, çdo paligjshmëri që ata hasin.

Elbasan/Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.

Ndalohet një 38-vjeçar i dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë.

Komisariati i Policisë Elbasan, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Bekim Skora, 38 vjeç, banues në Elbasan, të cilin Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 6 muaj burgim), për veprën penale ”Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 13 shtetas janë vënë në pranga, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste. Për 20 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 2 raste me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, 1 shtetas i kërkuar 1 rast të mëparshëm të kësaj vepre penale, është kapur.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 3 shtetas të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të falsifikimit, 2 raste të prishjes së qetësisë publike dhe 2 raste të mbajtjes pa të drejtë të uniformës, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë të paidentifikuar;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Përndjekja”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, mbetur në tentativë. Të gjitha rastet kanë nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.