Lezhë – Vijon megaoperacioni “Territor i pastër”, asgjësohen 2105 fidanë dhe bimë cannabisi

DVP Lezhë/Vijojnë kontrollet intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.

Gjatë kontrolleve nga toka e ajri nëpërmjet përdorimit të dronëve të cilësisë së lartë, si dhe si rezultat i hetimeve proaktive, brenda 24 orëve të fundit janë finalizuar tre operacione policore për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.

Gjatë këtyre operacioneve janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies, 2105 fidanë e bimë kanabis.

Janë vënë në pranga dy shtetas si autorëve të dyshuar të kultivimit të bimëve të asgjësuara në Lezhë dhe Kurbin, si dhe vijon puna për kapjen e autorit të kultivimit të fidanëve narkotikë të evidentuara në Mirditë.

✅Në Lezhë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë u finalizua operacioni Policor i koduar “Verdikti” ku janë evidentuar dhe asgjësuar nëpërmjet djegies 1445 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në fshatin Kashnjet, të Njësisë administrative Ungrej. Gjatë këtij operacioni, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Gj.Ll., 45 vjeç, banues në Lezhë, pasi nga terësia e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të hetimit proaktiv të nisur mbi kultivimin e këtyre bimëve, janë siguruar prova, ndër to edhe filmike se ky shtetas është autori i kultivimit të bimëve të gjetura.

✅Në Kurbin, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Giykatës së Shkallësë Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, u finalizua operacioni policor i koduar “No More”. Në kuader të këtij operacioni, në fshatin Fushë Gjormë, u kap brenda një parcele të kultivuar me 360 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi D.L., 57 vjeç. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, si autor i dyshuar i bimëve të gjetura në atë parcelë.

✅Në Mirditë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në kuadër të operacionit “Kubikët”, është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit M. M., 48 vjec, lindur në Xhuxhë, Fan, Mirditë dhe banues në Durrës, ku vijon puna intensive për kapjen e tij.
Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi në vendin e quajtur “Kroi i Kingjit”, në fshati Xhuxhë, Njësia administrative Fan, Bashkia Mirditë, 300 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuara në kubikë plastikë. Nga veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore, Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, 48-vjeçarin e shpallur në kërkim, ku dhe gjatë kontrolit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën edhe dy automjete me të cilët dyshohej se ky shtetas kishte transportuar kubiket me fidanë për ti kultivuar në tokë, si dhe u gjetën e sekuestruan edhe prova të tjera që kanë lidhje me këtë aktivitet kriminal.

Megaoperacioni kombëtar “Territor i pastër” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.