Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i Pastër”.
Pas një hetimi proaktiv, finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.
Vihen në pranga 3 vëllezër, të cilët u kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Asgjësohen dhjetëra fidanë dhe bimë cannabisi.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuara në inteligjencën policore dhe në hetime proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Brothers”. Në kuadër të këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
R. V., 26 vjeç, E. V., 23 vjeç dhe A. V., 20 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Maskuri, Durrës.
Këta shtetas, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Maskuri, kishin kultivuar në një parcelë, dhjetëra fidanë dhe bimë cannabisi. Gjatë operacionit, këta shtetas u kapën në parcelë, duke u kujdesur për bimët narkotike.
Gjatë hetimit proaktiv janë siguruar prova filmike kur këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shkonin në mënyrë të përsëritur te parcela për t’u kujdesur për bimët.
Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë asgjësuar fidanët dhe bimët narkotike, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gjenerator, tuba uji, pleh kimik, kubikë polesteroli, 2 automjete dhe 3 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Krumë, Has
Ushtroi dhunë psikologjike ndaj vëllait të tij, si dhe e kanosi atë për jetën, me mjet prerës (sëpatë), kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
Sekuestrohet mjeti prerës (sëpatë).
Komisariati i Policisë Has arrestoi në flagrancë shtetasin S. B., 41 vjeç, banues në fshatin Helshan, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të tij, shtetasit F. B., 31 vjeç, si dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (sëpatë). Gjithashtu, i arrestuari i ka dëmtuar 31-vjeçarit, derën e banesës.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, për 31-vjeçarin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Fier/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”.
Shiste doza cannabisi në qytetin e Patosit, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 35-vjeçari, i cili në momentin që u konstatua nga shërbimet e Policisë, tentoi të largohej me vrap.
Procedohet penalisht nëna e 35-vjeçarit, pasi kundërshtoi punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit të banesës.
Sekuestrohen lëndë narkotike cannabis sativa, 4 grirëse dhe 1 automjet.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas lëvizte me lëndë narkotike në qytet, me qëllimin për ta shitur, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-A. N., 35 vjeç, banues në Patos.
Në qytetin e Patosit, në momentin që ky shtetas ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe vënë në pranga. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, doza lënde të dyshuar narkotike cannabis, të gatshme për shitje. Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 2 kavanozë me lëndë narkotike cannabis dhe mjete për ndarjen e saj në doza.
Gjithashtu, për këtë rast, nisi procedimi penal për nënën e shtetasit A. N., shtetasen M. A., 62 vjeçe, banuese në Patos, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit të banesës.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 4 grirëse, 1 automjet dhe 1 celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 4 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 5 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike, me autorë të paidentifikuar;
-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, me 3 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i krimeve ekonomike, vetëgjyqësisë, fyerjes, veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, goditjeve për shkak të detyrës dhe përdorimit me keqdashje i thirrjeve telefonike, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.