Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Illegal”

Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar “Illegal”, pas një hetimi për disa muaj, me metoda proaktive, për të goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit.

Kishte përshtatur banesën e saj, për ushtrim të prostitucionit dhe për përdorim të lëndës narkotike kokainë, arrestohet 36-vjeçarja.

Sekuestrohen një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, një sasi kokaine dhe 2 celularë.

Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda proaktive, të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, për të goditur një rast të veprimtarisë kriminale të ushtrimit të prostitucionit, Komisariati i Policisë Elbasan finalizoi operacionin policor të koduar “Illegal”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasja S. S., 36 vjeçe, banuese në Elbasan, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e banesës për përdorim droge”.

Nga hetimet rezultoi se kjo shtetase kishte përshtatur banesën e saj, në lagjen “Beqir Dardha”, për ushtrim të prostitucionit dhe për përdorim të lëndës narkotike kokainë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.