Policia e Shtetit
U zhvillua në Tiranë, workshop-i me temë “Lidhja mes Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Krimit Kundër Pronës”, nga Njësia për Krimet Shëtitëse Anti Skifter, e cila përfaqëson Policinë e Shtetit si lider në aktivitetit operacional “OA 8.2 ALBANIA & WB Countries” (Aktiviteti Operacional 8.2 Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”), të Platformës Europiane EMPACT OPC – për krimet kundër pronës.
Policia shqiptare po luan një rol aktiv kundër krimit të organizuar ndaj pasurisë që kryhet në vendet e BE-së, nga grupet kriminale me pjesëtarë shtetas shqiptarë. Pavarësisht së veprat penale kundër pronës kryhen në vendet e BE-së, Policia shqiptare ka krijuar një strukturë të posaçme, pjesë e Drejtorisë së Krimit të Organizuar, e cila në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të këtyre vendeve dhe EUROPOL-in, ka arritur rezultate të larta në goditjen e rasteve të vjedhjeve në banesa dhe të vjedhjeve të tjera.
Në këtë workshop morën pjesë drejtues të Platformës EMPACT OPC, shefi i ekipit të Qendrës Evropiane për Krimet e Rënda dhe Krimit të Organizuar O2 (ESOCC), EUROPOL, përfaqësues nga Zyra e Komisionit Europian në Tiranë, përfaqësues nga Policitë e vendeve të BE-së, nga policitë e Ballkanit Perëndimor, nga drejtoritë vendore dhe të asaj qendrore të Policisë së Shtetit.
Gjatë workshop-it u prezantua dhe u vlerësua puna e bërë nga Njësia për Krimet Shëtitëse Anti Skifter, në luftën kundër grupeve kriminale shqiptare me aktivitet në kriminal në vendet e BE-së dhe më gjerë, si dhe u prezantuan raste të trafikimit të të miturve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në vendet e BE-së dhe përdorimi i tyre nga trafikantët, për vjedhje.
Gjithashtu, u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer me Policinë Shqiptare, në luftën dhe parandalimin e këtij fenomeni dhe roli aktiv i Njësië për Krimet Shëtitëse Anti Skifter, në përfshirjen e Vendeve të Ballkanit Perëndimor, në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar ndaj pronës.