Raporti i ngjarjeve, 27 qershor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Elbasan/Angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe reagim profesional e në kohë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët.

Si rezultat i inteligjencës së menjëhershme policore, finalizohet operacioni policor i koduar “Next”.

Posedonte në banesë armë zjarri kallashnikov, granata, kapsolla detonatore dhe municion luftarak, vihet në pranga 56-vjeçari.

Procedohet penalisht djali i tij, për dhunë në familje.

Menjëherë pas administrimit të kallëzimit të një shtetasje se ajo ishte dhunuar psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, 27 vjeç, me të cilin ishin në proces divorci, Komisariati i Policisë Elbasan, bazuar në inteligjencës policore se babai i 27-vjeçarit posedonte në banesë  armë zjarri dhe lëndë plasëse, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Next”.

Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e babait të tij, shtetasit B. Ç., në fshatin Qerret, njësia administrative Labinot Mal, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua poseduesi i armës së zjarrit dhe lëndëve plasëse, shtetasi B. Ç., 56 vjeç;

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 29 vjeç, djali i shtetasit B. Ç., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën janë në proces divorci.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Përmet

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve francezë, të cilët kishin mbetur në mesnatë, në fshatin Pavar, për shkak të një defekti në automjetin e tyre.

Sapo janë njoftuar, rreth orës 00:20, se 2 turistë francezë kishin mbetur në territorin e fshatit Pavar, për shkak se automjeti me të cilin eksploronin zonën, kishte defekt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet kanë shkuar në zonë, për t’ju ofruar ndihmë.

Turistët janë lokalizuar dhe janë transportuar nga shërbimet e Policisë, në hotelin ku ishin akomoduar, në Këlcyrë, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, është transportuar automjeti i tyre.

Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë së Përmetit, për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Policia e Gjirokastrës mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Tiranë/Arrestohen 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin F. M., 46 vjeç, banues në Tiranë, si dhe referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasit Xh. B., 34 vjeç banues në Tiranë. Ditën e djeshme, në orën 19:00, te liqeni artificial, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, shtetasit A. M., 50 vjeç dhe R. C., 26 vjeç. Gjatë konfliktit, shtetasi R. C. është rrëzuar në një shkallë betoni dhe si pasojë është dëmtuar. Aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.      

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin P. F., 63 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, në prezencë të një shtetaseje të mitur (fqinja e tij). 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit:

-D. H., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata;  

-F. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Vorë, pasi dyshohet se ka vjedhur shuma të ndryshme parash në dy banesa në Vorë. 

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:

-Xh. Y., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në orën 14:00, në rrugën “Dritan Hoxha”, automjeti tip “Benz” që e drejtonte pa leje drejtimi, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin K. P., 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi është ekzekutuar edhe vendimi penal i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”; 

-A. V., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, duke drejtuar automjetin tip “Ford”, ka përplasur nga pas automjetin e ndaluar tip “BMË” me drejtues shtetasin M. H., dhe nga spostimi, automjeti tip “BMË” ka goditur një automjet tjetër të ndaluar. Si pasojë është dëmtuar shtetasi M. H., e cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve; 

-E. D., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Teodor Keko”, automjeti që e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me bordurën anësore të rrugës, me pasojë vetëm dëme materiale. 

Ditën e djeshme, rreth orës 15:35, në Valias, 2 shtetas ende të paidentifikuar, dyshohet se në kërcënimin e një sendi të fortë në dukje armë zjarri, i kanë vjedhur disa aksesorë floriri, (porosi të bëra online), shtetasit L. B., 22 vjeç, punonjës i një argjendarie. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.     

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 67 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste. Për 5 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 2 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë proceduar penalisht 2 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 3 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-nga 1 rast i veprave penale: kalimi i kundërligjshëm i kufirit, falsifikimi, organizimi i kundërligjshëm i lojërave të fatit, trafikimi i mjeteve motorike, shpërdorimi i detyrës, goditja për shkak të detyrës, kanosja për shkak të detyrës, shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit, njoftimi i rremë në organet e rendit dhe marrja e padrejtë e fëmijës, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vetëgjyqësia”, është ndaluar.

1 shtetase është shpallur në kërkim dhe 4 të tjera janë proceduar në gjendje të lirë, për 1 rast prostitucioni të goditur ditën e djeshme, nga Policia e Tiranës.

Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.