Policia e Shtetit kontribuon në operacionin ndërkombëtar, të koduar “Energy Switch”.
Operacioni, i iniciuar nga Policia dhe Prokuroria e Milanos, angazhoi ekspertë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe të Njësisë së Krimeve Kibernetike, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH, në bashkëpunim me SPAK-un, Njësinë Speciale të Policisë Valutore të Guardia di Finanza-s, Oficerin Ndërlidhës të Italisë në Shqipëri dhe me Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri.
Gjatë këtij operacioni u shkatërrua një rrjet kriminal ndërkombëtar që mashtronte qytetarët, nëpërmjet 2 call centerave me qendër në Padova, me 32 zyra në Itali dhe 3 zyra në Shqipëri, për të lidhur kontrata fiktive për furnizimin me energji elektrike dhe me gaz. Gjithashtu, ky rrjet kriminal ishte i implikuar në pirateri televizive, si dhe keqpërdorte të dhënat e qytetarëve dhe falsifikonte dokumente, për të realizuar mashtrimet.
Operacioni “Energy Switch” rezultoi me sekuestrimin e sistemeve kompjuterike të ndryshme, serverëve në distancë, hapësirave Cloud dhe pajisjeve të tjera të specializuara teknologjike.
Vijojnë hetimet në nivel ndërkombëtar, për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej pjesëtarëve të këtij rrjeti.