Zhvillohet Samiti i 4-t i Shefave të Policisë së Kombeve të Bashkuara – “UNCOPS 2024”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, merr pjesë në Samitin e 4-t të Shefave të Policisë së Kombeve të Bashkuara, që zhvillohet në Selinë Qendrore të OKB-së në Nju-Jork, më datat 26-27 qershor 2024.
“UNCOPS 2024” do të bashkojë ministra, drejtues të policive dhe përfaqësues të lartë të organizatave rajonale dhe profesionale në fushën e policimit për të diskutuar mbi forcimin e paqes ndërkombëtare, sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët, nëpërmjet bashkimit të fuqisë dhe aktivizimit të policimit kombëtar dhe të Kombeve të Bashkuara.
Diskutimet do të përqendrohen, ndër të tjera, në identifikimin e praktikave dhe qasjeve për bërjen operacionale të rolit të Divizionit të Policisë së Kombeve të Bashkuara, si një sistem i gjerë i garantimit të sigurisë dhe pikë qendrore për policimin e Kombeve të Bashkuara dhe çështjeve të tjera të zbatimit të ligjit.
“UNCOPS 2024” do të jetë një mundësi që drejtuesit e policive nga mbarë bota dhe lidershipi i Kombeve të Bashkuara të angazhohen në diskutime se si policimi i OKB dhe policimi kombëtar ndihmojnë e forcojnë njëri-tjetrin kur ballafaqohen me sfidat globale aktuale dhe ato të reja të sigurisë, përfshirë ndikimin njerëzor dhe krizat natyrore apo incidentet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, do t’i drejtohet Samitit të 4-t të Shefave të Policisë së Kombeve të Bashkuara, me një fjalë mbi “Kontributin e vendeve anëtare për UNPOL dhe rolin e Shqipërisë”.