Karaburun – Policia Kufitare e Vlorës dhe Delta Force ndihmojnë 2 shtetas që kishin mbetur në det

Karaburun, Vlorë

Policia Kufitare e Vlorës dhe Delta Force i dhanë ndihmë 2 shtetasve që kishin mbetur në det pasi e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues skaf që kishte pësuar defekt.

Pas dhënies ndihmë, nga verifikimi i kryer rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues skaf nuk dispononte dokumentacionin e duhur në bordin e mjetit, ndaj për këtë shkelje u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë.

Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë mori njoftim se një mjet lundrues skaf, me 2 shtetas në bord, kishte pësuar defekt, dhe shtetasit po rrezikoheshin prej dallgëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare të cilat iu shkuan në ndihmë 2 shtetasve të cilët ndodheshin 3 milje përballëgjirit të Bristanit, Karaburun.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar me mjetet e Policisë Kufitare, mjetin lundrues skaf, së bashku me shtetasit në bord, në SPK Triport. Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues nuk dispononte dokumentacionin e duhur në bordin e mjetit, prandaj ai u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë. Gjithashtu, nga Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT u ushtrua kontroll në bord, por nuk u gjetën sende të kundërligjshme.

Policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.