Përjashtohet nga Policia e Shtetit një punonjës për veprime korruptive dhe sjellje të rëndë diskretituese
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vendosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për një punonjës, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”.
Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, përjashtimi i kryekomisar F. B., me detyrë specialist kriminalist në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore, është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Drejtoria e Përgjithshëm e Policisë së Shtetit vlerëson bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në funksion të zbatimit të ligjit dhe rritjes së integritetit të organizatës së Policisë së Shtetit.