Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, 1 shpallet në kërkim dhe 1 tjetër procedohet në gjendje të lirë.
Sekuestrohet sasi e konsiderueshme veshjesh të dyshuara kontrabandë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kontrabandës me mallra, arrestuan në flagrancë shtetasit:
I.M., 53 vjeç dhe S.N., 37 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M.A., 45 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit F.Ç., 41 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në lagjet nr.17 dhe nr.18, në Korçë, në mjetet tip “Setra” dhe “Mercedes-Benz” me drejtues shtetasit M.A., dhe F.Ç., iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme konfeksionesh që iu përkiste dy shtetasve të arrestuar, pa dokumentacionin përkatës, e cila dyshohet të ketë hyrë në territorin shqiptar duke shmangur kontrollin dhe procedurat e rregullta doganore.
Konfeksionet do të transportoheshin drejt qytetit të Tiranës, me qëllim shitjen e tyre.
Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e shtetasit M.A., dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, kryer në bashkëpunim.