Kakavijë – Parandalohet një rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, falë kontrollit të rreptë në kufirin e gjelbër, në kuadër edhe të operacionit FRONTEX. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër dhe 1 procedohet në gjendje të lirë. Si rezultat i kontrollit të brezit të gjelbër, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e kufirit të gjelbër Kakavijë dhe ato të Frontex-it, në fushat e fshatit Bularat, Dropull kapën shtetasin R. G. 44 vjeç, banues në fshatin Veliten, Maliq, i cili ishte duke pritur disa shtetas sirianë për t’i transportuar në drejtim të Tiranës. Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër rezultoi se shtetasi i mësipërm bashkëpunonte me dy shtetas të tjerë për të transportuar shtetasit sirianë në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 200 euro për secilin. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. B., banues në Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. L., banues në fshatin Veliten, Maliq. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.
Komisariati i Policisë Nr. 2 – Vihen në pranga tre shtetas për vjedhje dhe procedohen penalisht dy të tjerë për përvetësim të mallrave të vjedhura. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, pas denoncimit të marrë nga qytetarët, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin dhe këqyrjes së pamjeve filmike është bërë i mundur identifikimi i autorit të vjedhjes në mënyrë të përsëritur të aparaturave të shpërndarjes së sinjalit televiziv tokësor dhe satelitor, në një kompleks pallatesh, në zonën e 21 dhjetorit. Autori i dyshuar, shtetasi A. H., 50 vjeç është mbajtur nën vëzhgim dhe është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë duke vjedhur përsëri aparaturat e shpërndarjes së sinjalit televiziv. Si rezultat i veprimeve të kryera, janë identifikuar edhe personat që kishin përvetësuar sendet e vjedhura nga ky shtetas, konkretisht shtetasit Sh. Xh. e P. D., banues në Tiranë, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë për “Pervetesimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë nga administratori i një magazine private janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit E. D., 50 vjeç dhe L. D., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë. Në rrugën “Shefqet Musaraj” këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës duke vjedhur në magazinën e një rrobaqepsie. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim”.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 251 shtetas, konkretisht: 68 janë arrestuar, 18 janë ndalur dhe 165 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 13 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste në të gjithë territorin, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 16 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 21 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 16 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 26 raste, 13 raste me 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 autorë të arrestuar në flagrancë, si edhe 13 raste, për të cilat po punohet për identfikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 12 raste, me 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 18 raste, me 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 15 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 23 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.