Raporti i ngjarjeve, 27 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjirokastër

Pas njoftimit se një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në një banesë, shërbimet e Policisë ndërhyjnë në kohë dhe kapin në flagrancë, në banesë, autorin e vjedhjes.  

Pasditen e djeshme, pas njoftimit se një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në një banesë, në lagjen “11 Janari”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta kanë kapur në flagrancë, brenda banesës, autorin e dyshuar, shtetasin A. H. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 43 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë.  

-Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në fshatin Krahës, Tepelenë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Autor i një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në vitin 2016, ndalohet 39-vjeçari i shpallur në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim.

Nga ky dënim, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet burgim.

Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet.

Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin A. K..

Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kamëz

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Game over”.

Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në një lokal, vihen në pranga 3 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

Sekuestrohen 9550 euro dhe 142 500 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, në një lokal në Kamëz, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Game over”. 

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. D., 51 vjeç, P. P., 44 vjeç, A. J., 41 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi V. S., 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë këtij operacioni është ushtruar kontroll në një lokal në Kamëz, në të cilin, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë këta shtetas duke ushtruar veprimtaritë e lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 9550 euro dhe 142 500 lekë të rinj, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

DVP Shkodër

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shpalljen në kërkim të shtetases R. P., 44 vjeçe, pasi dyshohet se ka goditur me send të fortë, një shtetase 65 vjeçe, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, shtetasen R. P. Në përfundim të veprimeve, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetase.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin F. F., 41 vjeç, banues në Shkodër, pasi mesditën e djeshme, në lagjen “Skënderbeg”, automjeti që drejtonte 41-vjeçari, në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasi K. L., duke shkaktuar dëme materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan/Procedohen penalisht 4 shtetas, për vepra penale të ndryshme.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 37 vjeç dhe M. R., 28 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjerin, për motive të dobëta, në ambientet e një lokali, në lagjen “Emin Matraxhiu”, si dhe kanë dëmtuar disa sende në këtë lokal.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 31 vjeç, banues në Cërrik, pasi qeni që ai mbante, në rrugë, ka kafshuar në këmbë një 12-vjeçar. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 47 vjeç, banues në Prrenjas, pasi qeni që ai mbante, në rrugë, ka kafshuar një shtetas 60 vjeç.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. 

-Më datë 26.03.2024, në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka kallëzuar një shtetase 52 vjeçe, banuese në Elbasan, se rreth 1 javë më parë, ka humbur kontaktet me vëllanë e saj, shtetasin Xh. S., 63 vjeç, banues në Elbasan, të cilin nuk e ka gjetur në banesën ku ai jetonte vetëm. Vijon puna për gjetjen e 63-vjeçarit.

DVP Berat/Procedohen në gjendje të lirë 6 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për një konflikt ndërmjet disa të miturve, në lagjen “22 Tetori”, ju informojmë se në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit e mitur R. Q., G. Q., I. B., A. F. dhe A. C., secili 16 vjeç, të gjithë banues në Berat, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht, një 17-vjeçar.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. K., 36 vjeç, banues në Berat, pasi ditën e djeshme, automjeti që drejtonte 36-vjeçari, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin K. M., 72 vjeç, banues në Berat, i cili pësoi dëmtime të lehta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Berat referuan materialet në Prokurori dhe vijojnë hetimet për kallëzimin e një 33-vjeçareje, se duke përdorur të dhënat e saj, është blerë një numër celulari, si dhe për kallëzimin e një 40-vjeçari, se i kanë vjedhur llogaritë në rrjete sociale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, është evidentuar 1 rast, me 5 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas tjetër është ndaluar për 1 rast të mëparshëm.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste- 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas janë ndaluar për 2 raste të mëparshme në këtë fushë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të falsifikimit- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 4 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës “Fyerja”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kompjuterike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Ngacmimi seksual”, “Prishja e qetësisë publike”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.