DVP Korçë
Mashtronte qytetarët në Instagram, për mundësi punësimi jashtë shtetit, në emër të kompanive të huaja fiktive, identifikohet, kapet dhe arrestohet 24-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, menjëherë pasi një gazetare e emisionit “Piranjat”, ka kallëzuar se nëpërmjet një llogarie në Instagram, në të cilën reklamoheshin mundësi punësimi në shtete të tjera, mashtroheshin qytetarë, kanë organizuar punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorin/ët.
Si rezultat u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. Ç., 24 vjeç, banues në Korçë.
24-vjeçari mashtronte qytetarët, kundrejt pagesave, me kontrata pune false, në emër të kompanive angleze fiktive. Pasi merrte paratë, ai ndërpriste komunikimet, pa ofruar shërbimin për të cilin ishte paguar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer më shumë se një herë, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Policia falenderon gazëtarët e emisionit “Piranjat”, për denoncimin e rastit, si dhe fton ata, median dhe qytetarët që të kallëzojnë çdo rast paligjshmërie që hasin. Reagimi ndaj autorëve të tyre do të jetë i menjëhershëm dhe me ashpërsinë e ligjit.