Sekuestrohen 20 kg cannabis sativa në një banesë.
Vihen në pranga 2 shtetas si bashkëpunëtorë.
Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e narkotikëve, Policia e Vlorës, pas nje hetimi me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka finalizuar operacionin antidrogë në Orikum të Vlorës.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesën e shtetasit F. B. në Orikum, ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 20 kilogramësh, e dyshuar e llojit cannabis sativa.
Në kuadër të këtij operacioni dhe në vijim të veprimeve procedurale është bërë arrestimi në flagrancë i pronarit të banesës, 45-vjeçari F. B.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasin E. K., 38 vjeç, banues në Vlorë, si autor i implikuar në këtë ngjarje, në bashkëpunim me F.B.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë, në ngarkim të tyre, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.