Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Lushnjë
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024.
Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:
L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.
Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Posedonin fara cannabisi dhe sasi kokaine, me qëllim shitjen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 1000 fara cannabisi, kokaina e ndarë në doza, automjeti me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 3 celularë.
Në vijim të kontrolleve të bazuara në inteligjencën policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në fshatin Kryebushat, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjer shtetasin K. K.
Nga kontrollet fizike ndaj 2 shtetasve dhe në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një pako me 1000 fara cannabisi dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të ndarë në doza, që posedoheshin nga këta shtetas, me qëllim shitjen.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 26 vjeç, banues në fshatin Bogë dhe K. K., 37 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të angazhuara maksimalisht për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “River”.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e kasafortës së një biznesi në Sauk, më datë 01.03.2024.
Identifikohen dhe vihen në pranga pas një ndjekje intensive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, tre autorët e dyshuar. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Sekuestrohen kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në biznesin e tij, në Sauk, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “River”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me DVP Elbasan, u bë arrestimi i shtetasve B. S., 53 vjeç, E. K., 37 vjeç dhe A. Ç., 40 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Gjithashtu, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit E. Gj., 27 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 01.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Sauk, një kasafortë me 4000€ dhe 100 000 lekë, dhe më pas, kasafortën e kanë hedhur në lumin Shkumbin, në Elbasan.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Room”, për goditjen e një tjetër rasti të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Zbulohet një ambient i veçuar në një lokal në lagjen “Liri”, i përshtatur me makineta, celularë dhe pajisje të tjera, për lojëra fati të ndryshme.
Sekuestrohen 3 makineta, 4 dekoderë me kanale televizive që transmetonin lojëra, 1 laptop dhe 2 celularë.
Arrestohet kamerieri i lokalit, i cili u kap në flagrancë në këtë ambient, dhe punohet për kapjen e pronarit.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se në një lokal në lagjen “Liri”, ishte veçuar një ambient që ishte përshtatur me pajisje elektronike, për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me ata për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, finalizuan operacionin policor të koduar “Room”.
Nga kontrollet në brendësi të këtij lokali, u zbulua një dhomë e veçuar ku ishin vendosur makineta, lap top, dekoderë dhe celularë, nëpërmjet të cilave ndiqeshin dhe luheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin.
Në vijim të veprimeve procedurale u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi F. P., 37 vjeç, banues në Fier, kamerier në këtë lokal, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. K., 47 vjeç, banues në Fier, pronar i lokalit. Punohet për kapjen e 47-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 48 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-6 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, është vënë në pranga 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas;
-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Shtytja e të miturve në krim”, me autor/ë ende të paidentifikuar;
-nga 1 rast i krimeve ekonomike, vjedhjes së energjisë elektrike dhe kundërshtimit të punonjësve me funksione publike, si dhe i veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Fyerja” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas është ndaluar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.