Berat
Ceremoni përkujtimore për 25-vjetorin e rënies në krye të detyrës të 3 ish-punonjësve të Policisë së Shtetit Rushan Toskaj, Bafjar Gremshi dhe Lumën Hasanbelli.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, në ceremoninë përkujtimore të 3 ish-punonjësve të Policisë së Beratit, Dëshmorë të Atdheut, të cilët ranë në krye të detyrës.
I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
E nderuar znj. Prefekte,
Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Policisë,
Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,
Ceremonia e sotme për të radhitur kolegun, mikun e shokun tonë, familjarin e mirë Lumën Hasanbelli, përkrah yjeve që rrezatojnë shpresë dhe motivim, si dhe të përkujtojmë veprën më sublime të Rushanit, Bafjarit e Lumënit, emrat e të cilëve janë skalitur në piedestalin e kombit, është emocion njerëzor, profesional dhe moral, reflektim dhe detyrim për të bërë më shumë për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, njëherazi Dëshmorë të Atdheut.
Asnjë segment i ushtrimit të detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk më emocionon sa pjesëmarrja në ceremonitë përkujtimore të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të cilët lanë sublimen, lanë pas familjarët dhe miqtë, në emër të idealit të Policisë.
Dëshmorët e Atdheut Bafjar Gremshi, Rushan Toskaj dhe Lumën Hasanbelli, zgjodhën të jenë më të mëdhenj, më të rëndësishëm, më të vlerësuar dhe më të lavdishëm se ne. Ata, me sakrificën e tyre, na e shtruan me besim dhe vlerësim, rrugën e komunikimit dhe bashkëpunimit me qytetarët.
Në ngjarjen fatkeqe të marsit të vitit 1999, pranë Urës Vajgurore, të 3 zgjodhën përpara vetes, betimin që i bënë flamurit, atdheut, juve dhe çdo qytetari, se në betejën e së mirës kundër së keqes, nuk do kursenin as jetën. Ata qenë të paepur deri në vetëmohim, në mbrojtje të ligjit dhe në detyrën e tyre për të garantuar rendin, sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve.
Sakrifica e tyre na bën të kthjellët mbi vlerën e kolegëve tanë, që koha dhe jeta na i bën familje e shkuar familjes, vëllezër, merakun më të madh dhe ata me të cilët kalojmë vitet më vitale.
Të tre prehen nga sot, në tokën e shenjtë të Beratit, në varrezat e dëshmorëve të qytetit, duke u bërë leksion jete për të gjithë ne, për çmimim e misionit të Policisë dhe për vlerën e atij që na rri në krah me uniformë, ideal dhe sfida të njëjta.
Në këtë 80-vjetor të çlirimit të vendit, jam shpresëplotë se Dëshmorët e Atdheut që na ndriçojnë cdo ditë në punën tonë i kemi bërë krenarë, me punën dhe angazhimin tonë për çdo qytetar të vendit, vizitorë e turistë dhe me derën hapur që iu kemi lënë familjarëve të tyre, kurdo, pa asnjë kufizim. Ky kontribut jep shpresë, na bën të fortë dhe të përulur njëkohësisht për të vijuar të paepur luftën tonë të përditshme kundër krimit dhe në të mirë të qytetarëve.
Sakrifica e tyre është udhërrëfyesi dhe standardi që pakkush e mbërrin, për të qenë përjetë i kujtuar dhe i lavdëruar. Njëkohësisht është edhe kambanë për të reflektuar që secili drejtues policie, i cilitdo rangu qoftë, të planëzojë, të planifikojë dhe të parashikojë shumë më mirë detyrat dhe rreziqet në përballje me krimin, me qëllim që në këtë luftë të përditshme mes së mirës dhe së keqes, të kemi shumë më shumë rezultate dhe sa më pak apo aspak dëmtime, aq më keq humbje jete.
Ju jam mirënjohës përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj sot. Uroj të kemi çuar në vend amanete dhe dëshira të kolegëve tanë të rënë në krye të detyrës dhe uroj të vijojmë ta bëjmë këtë përmbushje, me dinjitet dhe të palëkundur.
Dashuria ndaj atdheut, besnikëria, gatishmëria e të qenurit në shërbim të popullit dhe të vendit, në çdo orë apo rrethanë kohore, duke mos kursyer asgjë nga vetja dhe pasuria, janë vlera që unifikojnë misionin më fisnik, sepse atdheu është mbi të gjitha, është i shenjtë.
I paharruar qoftë kujtimi i dëshmorëve të Policisë dhe i mijëra dëshmorëve të tjerë të atdheut, që dhanë jetën që Shqipëria të rrojë. Për Shqipërinë jetuan ata, për të jetojmë ne.
Faleminderit!