Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 nëntor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi i pandërprerë mes Interpol Tirana dhe homolgëve, për kapjen me qëllim ekstradimi të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Një tjetër i kërkur bie në prangat e Policisë belge falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tirana dhe Policisë belge. Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Belgjika drejt vendit tonë i shtetasit Kristjan Demçe, 43 vjeç, banues në Lushnjë. Autoritetet policore belge, pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Policinë Shqiptare, nëpërmjet Interpol Tirana bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit K. D., me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Shtetasi Kristjan Demçe, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, në vitin 2014, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, në rrugë ajrore nga Shqipëria në Itali, me avionin e shtetasit italian G. R.

Tiranë – Gjatë aksionit të nisur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e 33 objekteve në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë. Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba molotov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak. Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese. Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 25 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Gjirokastër, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Berat me 2 autorë të arrrestuar në flagrancë dhe 11 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar raste 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 4 raste, 1 në Elbasan dhe 3 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 2 në Lezhë dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë dhe 4 në Lezhë.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.