Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fan, Mirditë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi E. R., ju informojmë se:
Si rezultat i punës hetimore të kryer nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Policia, në vijim dhe pa ndërprerë, ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Njëkohësisht, grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorit të dyshuar që t’i dorëzohej organeve të drejtësisë.
Sot, nga Policia e Lezhës u bë ndalimi i shtetasit M.(Gj.).A., i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime te mëtejshme.