Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Finalizohet operacioni policor “Dajçi”. Operacioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen dy të rinj, të kërkuar për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Operacioni nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”. Në zbatimin të planit të masave për kapjen e personave në kërkim dhe pas një pune të mirëorganizuar nga Komisariati i Policisë Lezhë është finalizuar operacioni policor i koduar “Dajçi”, në kuadër të të cilit, u bë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim: K. N., 25 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, i dënuar më parë, person në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe K. P. (Sh.), 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ishull, Lezhë, i dënuar më parë, person në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Këta dy shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi më datë 28.09.2019 në bashkëpunim me njëri-tjetrin në lagjen SMT, Lezhë, tek “Ura e Cenit”, pas një konflikti për motive të dobëta kanë plagosur rëndë me armë zjarri shtetasin S. N. Në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje “.
Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Drashovica”. Sekuestrohet lëndë narkotike në një banesë. Policia arreston në flagrancë autorin. Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative se në një banesë në fshatin Drashovicë mund të kishte lëndë narkotike, Policia ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Drashovica”. Në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I., 56 vjeç, banues në Drashovicë, Vlorë. Nga kontrolli i ushtruar në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi 9.3 kg lëndë narkotike, e dyshuar si cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë – 9 të proceduar për sulmin me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë. Më datë 07.11.2019, në rrugën “Teodor Keko”, Tiranë, rreth orës 10:45, një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës. Si pasojë e sulmit me gurë dhe sende të forta mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe 1 punonjës i Policisë. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë, është dëmtuar edhe një automjet i Policisë. Në lidhje me ngjarjen, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore, bazuar edhe në pamjet filmike, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.S., 50 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e 7 shtetasve: J.M., S.H., F.D., V.D., L.K., Sh.N. dhe G.S., të cilët pas sulmit mbi punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E.D., 35 vjeç, banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasve Sh.S., J.M., S.H., F.D., V.D., L.K. dhe Sh.N., si dhe në ngarkim të shtetasit G.S., për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Kamëz – Finalizohet operacioni policor i koduar “Valiasi”. Falë ndërhyrjes së shërbimeve të patrullës të përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 5 parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale. Në pranga një 61-vjeçar, i cili kërcënoi për shkak të detyrës punonjësit e Bashkisë Kamëz. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe fishekë luftarakë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 5 arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “Valiasi”, shtetasin R. S., 61 vjeç, banues në Valias i ri, në Kamëz. Ky shtetas është konfliktuar për shkak të detyrës me punonjësit e Bashkisë Kamëz, të cilët po kryenin punime në një tokë në kufi me tokën e shtetasit R. S. dhe gjatë momentit që ky shtetas po futej në banesë i ka kërcënuar me fjalë për jetën punonjësit e Bashkisë Kamëz. Me marrjen dijeni për rastin, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy shërbime të patrullës dhe specialistë për parandalimin dhe hetimin e krimit, të cilët kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe gjatë kontrollit të banesës dhe ambienteve në pronësi të këtij shtetasi, Policia gjeti një armë zjarri pushkë dhe fishekë luftarakë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 11 janë ndalur dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 2 autor të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 2 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 3 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 3 raste, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.
Janë proceduar 4 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.